Dy ditë më parë Gazeta “Shkodra Sport” lajmëroi se stafit teknik të ekipit të Vllaznisë do t’i shtohej edhe një pjestar tjetër, pikërisht italiani Dario Leva. Ndërkohë ditën e sotme ka qenë vetë klubi shkodran që e ka prezantuar atë teksa përmes faqes zyrtare i ka uruar mirëseardhjen.
“Mirë se erdhe, Dario Ieva!
KF Vllaznia ka kënaqësinë të prezantojë pjesëtarin më të ri të stafit teknik, Dario Ieva, i cili do të marrë detyrën e Përgatitësit Atletik të ekipit tonë për sezonin e ri.
I diplomuar në Shkencat Sportive dhe i pajisur me licencat UEFA C dhe UEFA Fitness B, Dario sjell me vete eksperiencë të rëndësishme në futbollin italian dhe atë shqiptar.
Me njohuritë e tij në përgatitjen fizike, analizën e të dhënave sportive, rehabilitimin e dëmtimeve dhe teknologjinë GPS, jemi të bindur se do të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e performancës së ekipit.
I urojmë Darios suksese dhe mirëseardhje në familjen kuqeblu!”- shkruhet në faqen e klubit shkodran.


