Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Një tjetër talent i akademisë kuqeblu po merr vlerësimin e stafit teknik të ekipit të parë. Portieri Alevio Ndoj është përfshirë në grupin e futbollistëve që kanë udhëtuar drejt Sllovenisë për fazën përgatitore të verës, ku Vllaznia do të zhvillojë pjesën më të rëndësishme të përgatitjeve për sezonin e ri.
Vllaznia ka nisur këtë të diel “zborin” në Slloveni, ku do të qëndrojë për rreth 10-12 ditë. Ndoj, i cili është pjesë e ekipit U-19 të Vllaznisë dhe konsiderohet një nga portierët me perspektivë të akademisë shkodrane, do të ketë mundësinë të stërvitet nën urdhrat e stafit të ekipit të parë dhe të fitojë eksperiencë të vlefshme pranë futbollistëve më të spikatur të skuadrës.
Grumbullimi i tij në fazën përgatitore shihet si një sinjal i qartë besimi nga ana e klubit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse gardiani i ri do të ketë mundësi të aktivizohet edhe në ndeshjet miqësore që kuqeblutë pritet të zhvillojnë gjatë qëndrimit në Slloveni.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


