Hedhja e shortit të turit të parë të kompeticionit “Conference League”, i ka hapur tashmë rrugë përgatitjes së ekipeve për këto ndeshje, ndërkohë që ditën e sotme janë zyrtarizuar edhe datat dhe oraret e ndeshjeve të këtij turi. Rrjedhimisht edhe për ndeshjet që ekipi i Vllaznisë do të luajë ndaj vëllezërve tanë nga Kosova, ekipit të Malishevës.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve mësohet se do të luhet të enjten e datës 9 korrik në ora 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Klubi shkodran ka zgjedhur pikërisht këtë orar për përballjen e parë ndaj këtij kundërshtari.

Ndërkohë ndeshja e kthimit nuk do të luhet të enjten, por të mërkurën e datës 15 korrik dhe do të nisë në orën 15:30. Një orar disi i papërshtatshëm por drejtuesit e Malishevës atë kanë përzgjedhur edhe ngaqë ndeshja nuk do të luhet në stadiumin e tyre, por në “Zahir Pajaziti” të Podujevës.



