Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla është kthyer në vitet e fundit në një nga emrat më të spikatur në kampionatin Primavera në Itali duke veshur fanellën e Sasuolos. Në sezonin e fundit ai u shpall edhe sulmuesi më i mirë i kampionatit të të rinjve në Itali.
Kjo ka bërë që klubi i Sasuolos të vendosë të blindojë menjëherë talentin shqiptar i cili aktualisht përfaqëson ngjyrat kuqezi me Shqipërinë U19. Palët kanë hedhur firmën mbi një kontratë që e lidh me skuadrën e Serisë A deri në vitin 2030.
“U.S. Sasuolo është i lumtur të komunikojë zgjatjen e kontratës së Gabriel Kullës deri më 30 qershor 2030. Qendërsulmuesi i ditëlindjes 2008 ka kaluar tre sezone me fanellën e këtij ekipi, me të fundit në radhët e skuadrës Primavera.
Në kampionatin për U20, futbollisti 18-vjeçar ka rënë në sy me 16 gola dhe 8 asiste, duke merituar “Primavera Best Awards 2026” si sulmuesi më i mirë”, shkruhej në njoftimin e Sasuolos për sulmuesin.


