Shkruan nga Endri ÇINARI
Objektivi i parë i sezonit është tashmë i qartë për kuqeblutë. Në një verë të mbushur me ndryshime, largime të rëndësishme dhe pritje për afrime të tjera, fokusi i grupit është përqendruar te sfida europiane ndaj Malishevës. Pavarësisht dyshimeve që kanë shoqëruar ekipin gjatë javëve të fundit, në kampin shkodran synimi mbetet i pandryshuar: sigurimi i kualifikimit në turin e dytë të Conference League.
Skuadra kosovare konsiderohet një kundërshtar serioz dhe që meriton vlerësim maksimal. Malisheva ka treguar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit dhe pjesëmarrja në arenën europiane nuk është aspak rastësi. Megjithatë, në kampin shkodran ekziston bindja se bëhet fjalë për një kundërshtar të kalueshëm dhe se ekipi ka potencialin e duhur për të siguruar kualifikimin.
Për kuqeblutë, ky nuk është thjesht një tur europian, por një test i rëndësishëm për projektin e ri që po ndërtohet. Një kualifikim do të sillte jo vetëm përfitime sportive dhe financiare, por edhe më shumë qetësi për të vijuar punën në prag të sezonit të ri. Për më tepër, kalimi i turit të parë do të rriste ndjeshëm besimin në një skuadër që ende po mundohet të gjejë identitetin e saj pas shumë lëvizjeve në merkato.
Tradita e viteve të fundit është një tjetër arsye pse në Shkodër kërkohet me ngulm ky objektiv. Kuqeblutë kanë arritur vazhdimisht të kalojnë pengesën e parë në Conference League, duke krijuar një vazhdimësi pozitive në paraqitjet europiane. Ruajtja e kësaj tradite konsiderohet një detyrim për një klub që synon të mbetet mes përfaqësuesve më dinjitozë të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, përballja me Malishevën shihet si sfida më e rëndësishme e momentit. Pavarësisht diskutimeve për merkaton dhe nevojën për përforcime të tjera, gjithçka është orientuar drejt këtij dueli. Kualifikimi mbetet objektivi minimal dhe hapi i parë që duhet hedhur për ta nisur sezonin e ri me optimizëm dhe për të konfirmuar se ambiciet europiane vazhdojnë të jenë të njëjtat.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


