Shkruar nga Namik MEHMETI
Plot 20 emra të nderuar e të respektuar, jo vetëm nga sportdashësit e këtij sporti, por edhe nga i gjithë komuniteti i qytetit të Shkodrës, përkujtohen me një aktivitet simbolik nga Shoqata e Veteranëve të Atletikës, me logon “Kupa e Ikonave”.
Kam pasur privilegjin që, si gazetar sportiv, jo vetëm të ulem e të pi një kafe me ta, por që, që në mbarimin e Shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka”, të shkruaj në rubrikën sportive të Radio Shkodrës e, më vonë, në gazetat “Sporti Popullor” dhe “Sporti Shqiptar”, falë pikërisht njërit prej këtyre ikonave, prof. Ibrahim Dizdarit, i cili më inkurajonte të shkruaja jo vetëm për futbollin, por edhe për atletikën.
Të gjithë këta Mjeshtër të Mëdhenj, Mjeshtër të Merituar të Sportit, disa prej tyre edhe Qytetarë Nderi e me titullin “Mirënjohja e Shkodrës”, kanë lënë pas një trashëgimi të vyer sportive dhe të pashlyeshme.
Po e filloj me zotni Fetin, atletin dhe trajnerin e famshëm, nën drejtimin e të cilit ekipi i femrave të Vllaznisë u shpall Kampion Absolut i atletikës shqiptare për 18 vite radhazi.
Prof. Ibrahimi ishte kampion i kërcimit me shkop, rekord i cili qëndroi për shumë vite pas luftës, si dhe një autoritet i veçantë në historinë e sportit dhe të kulturës fizike.
Emra të tjerë që krijuan traditën e zhvillimit të atletikës në Shkodër dhe që përfaqësuan Shqipërinë në Ballkaniada ishin Marije Rranzi, Zef Franja dhe Osman Gruda. Marije Rranzi tërhoqi dhjetëra e dhjetëra vajza qytetare drejt atletikës dhe basketbollit, ku ndër ikonat spikat edhe Sebije Kërsi.
Më pas filloi epoka e prezantimit të një brezi të ri në atletikë, sidomos në garat e shpejtësisë dhe të stafetave, në pistat e shtruara me qymyr. Rekordmenët dhe kampionët Hysni Bebeziqi e Hivzi Kotrri tërhoqën pas vetes kampionë si Rasim Kraja, Asim Mujaxhi, Rrok Hila, Enver Dervishi, Kujtime Rrjolli, Sokol Hoti dhe Dashamir Sherja.
Më pas, fatet e atletikës shkodrane do t’i merrte në dorë një grup profesorësh, me në krye Vildan Tufin, së bashku me kolegët e tij, Gëzim Mema dhe Surri Hoti, të cilët në Olimpiada Botërore, Kampionate Evropiane dhe Ballkanike do të prezantonin ajkën e atletikës shkodrane dhe shqiptare.
Një panteon legjendar, të cilin Shkodra me të drejtë e ka ngritur në piedestal, për t’u lënë brezave një frymëzim për të ardhmen e këtij sporti, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se Vllaznia është shpallur Kampione Kombëtare në dy dekadat e fundit. Këto ikona kishin hyrë në familjet shkodrane, duke kryer rolin e një familjari të ndershëm dhe të besueshëm.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


