Publikohet lista e federimit e ekipit të Vllaznisë nga UEFA për pjesmarrjen e saj në turin e parë të “UEFA Conference League”. Ajo që të bën përshtypje është se institucioni i futbollit shqiptar nuk ia ka federuar të gjithë lojtarët ekipit shkodran. Nga të ardhurit e merkatos së verës, vetëm Herald Marku është në këtë listë.
Diçka e çuditshme sepse merkatoja ose është e bllokuar për të gjithë lojtarët, ose për asnjë. Gjithsesi Gazeta mëson se drejtuesit kuqeblu janë sërish në kontakte me UEFA-n për këtë çështje. Kjo sepse numri i lojtarëve të federuar është vetëm 15 dhe në këtë numër përshihen edhe Pohls e Kallaku që pothuajse janë të larguar dhe nuk do të jenë të gatshëm për dy ndeshjet ndaj Malishevës.
Tek Vllaznia janë ende në pritje të “korigjimit” të listës dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë skuadra do të mbushet me lojtarë të Akademisë që do të jenë pjesë e Listës B e cila ka afat për t’u dërguar në UEFA deri mesnatën e nesërme (data 8 korrik).
Një dhimbje koke kjo për trajnerin Martini i cili e sheh veten në një pozitë shumë të vështirë. Ndonëse paratë ka gati një javë që janë paguar për dy gjyqet e humbura, FIFA ende nuk ua ka hapur merkaton shkodranëve, megjithatë e çuditshme është që në listën e publikuar është emri i Herald Markut, njërit prej të ardhurve të merkatos.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”
Lista e zyrtarizuar nga UEFA
PORTIERË
Leon Pohls, Aron Jukaj, Rezart Bunjaj
MBROJTËS
Erdenis Gurishta, Gledjan Pusi, Jasmin Çelikoviç,
MESFUSHORË
Kristian Dros, Sherif Kallaku, Edon Murataj, Herald Marku, Klinti Qato, Ensar Tafili
SULMUES
Bekim Balaj, Aris Ara, Geralb Kubazi


