Wednesday, July 15, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENuk priten ndryshime, ja si do jetë formacioni i Vllaznisë sot kundër...

Nuk priten ndryshime, ja si do jetë formacioni i Vllaznisë sot kundër Malishevës

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia duket se do t’i besojë të njëjtit formacion edhe në ndeshjen e kthimit të turit të parë të UEFA Conference League ndaj Malishevës. Nga ajo që mësohet, trajneri Edi Martini nuk pritet të bëjë ndryshime në rreshtimin titullar, duke konfirmuar besimin te futbollistët që zbritën në fushë në sfidën e parë të zhvilluar në “Loro Boriçi”. Një zgjedhje e diktuar jo vetëm nga paraqitja e ekipit, por edhe mos federimi i të afruarve të merkatos verore në një takim vendimtar për fatet europiane të kuqebluve.

Në portë pritet të jetë sërish Jukaj, i cili ka fituar besimin e stafit teknik. Përpara tij, treshja mbrojtëse nuk pritet të ndryshojë, me Gurishtën, Pusin dhe Çelikoviçin në qendër, ndërsa në krahët e anësorë do të veprojnë Aris Ara në të djathtë dhe Emiljano Musta në të majtë. Një repart që në ndeshjen e parë arriti të ruante ekuilibrin dhe tani synon të jetë po aq i sigurt edhe në transfertë.

Edhe në mesfushë, pavarësisht rikthimit të Ensar Tafilit, i cili shton alternativat dhe konkurrencën, Martini pritet t’i besojë sërish treshes së formuar nga Klinti Qato, Cristian Dros dhe Edon Murataj. Harmonia e treguar mes tyre në takimin e parë dhe balanca që i dhanë skuadrës në të dyja fazat e lojës duket se i ka bindur drejtuesit teknikë të mos ndërhyjnë në këtë repart.

Në repartin ofensiv nuk priten surpriza. Bekim Balaj dhe Rrok Toma do të udhëheqin edhe një herë sulmin kuqeblu, me shpresën se këtë herë do të arrijnë të jenë më konkretë para portës kundërshtare. Në sfidën e parë, golat e Vllaznisë erdhën nga mbrojtja dhe mesfusha, ndërsa në Kosovë pritet që pesha kryesore e realizimit të bjerë pikërisht mbi dyshen sulmuese.

Në prag të kësaj përballjeje vendimtare, vazhdimësia në formacion duket të jetë zgjedhja e Martinit. Trajneri beson se stabiliteti dhe automatizmat e krijuara mes lojtarëve mund t’i japin Vllaznisë avantazhin e nevojshëm për të kaluar me sukses turin e parë të Conference League dhe për të siguruar kualifikimin në raundin pasardhës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments