Shkruar nga Endri ÇINARI
Daniel Perez është një nga emrat që ka zgjuar më shumë kureshtje te tifozët e Vllaznisë gjatë kësaj merkatoje verore. Sulmuesi 24- vjeçar nga Venezuela është afrimi më i fundit në repartin ofensiv të kuqebluve dhe tashmë të gjithë presin ta shohin në fushë për të krijuar një ide më të qartë mbi cilësitë që ai mund t’i sjellë skuadrës së Edi Martinit.
Mundësia e parë për ta parë në aksion pritet të jetë këtë të shtunë, kur Vllaznia do të zhvillojë ndeshjen miqësore ndaj Otrantit, takim që do të zhvillohet në orën 18:00 në stadiumin e Ulqinit.
Edhe pse bëhet fjalë për një test përgatitor, vëmendja do të jetë e përqendruar pikërisht te Perez, i cili pritet të marrë minutat e para me fanellën kuqeblu dhe të tregojë potencialin e tij në repartin ofensiv. Natyrisht, një miqësore nuk mjafton për të dhënë verdikte përfundimtare, por do të jetë një tregues i rëndësishëm për mënyrën se si 24- vjeçari lëviz në fushë, përshtatet me shokët e skuadrës dhe interpreton rolin e tij në sulm. Stafi teknik pret që ai të sjellë energji, shpejtësi dhe konkurrencë në një repart që ende kërkon më shumë alternativa cilësore.
Në fakt, Vllaznia vazhdon të ketë mungesa në vijën e parë dhe drejtuesit janë ende aktivë në merkato për të afruar një tjetër sulmues. Pikërisht për këtë arsye, çdo paraqitje e Perez do të ndiqet me interes të madh, pasi kuqeblutë kanë nevojë që ai të shndërrohet në një armë të rëndësishme gjatë sezonit të ri.
Nëse venezueliani arrin të lërë përshtypje pozitive që në daljen e parë, ai mund të fitojë menjëherë besimin e stafit teknik dhe të tifozëve. Tashmë mbetet fusha ajo që do të japë përgjigjet e para, me Daniel Perez që ka shansin të tregojë se mund të jetë një nga goditjet më interesante të Vllaznisë në këtë merkato verore.


