Thursday, July 30, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREJo vetëm Tahiri, edhe dy futbollistë të tjerë u paraqitën pozitivisht kundër...

Jo vetëm Tahiri, edhe dy futbollistë të tjerë u paraqitën pozitivisht kundër Laçit

Shkruar nga Endri ÇINARI

Fitorja 3-0 ndaj Laçit në ndeshjen miqësore nuk solli vetëm një rezultat pozitiv për Vllazninë, por edhe sinjale shumë inkurajuese nga disa prej futbollistëve që pritet të kenë një rol të rëndësishëm gjatë sezonit të ri. Përveç Amin Tahirit, i cili ishte protagonist absolut me dy gola të realizuar, paraqitje të mira dhuruan edhe Gerald Kubazi dhe Edon Murataj, duke konfirmuar se janë në një moment të mirë forme.

Gerald Kubazi ishte një nga lojtarët më aktivë në repartin ofensiv. Futbollisti i ri u dallua për lëvizjet e tij, shpejtësinë dhe aftësinë për të krijuar raste për shokët e skuadrës. Dy asistet e regjistruara ndaj Laçit janë prova më e mirë e cilësisë që ai solli në fushë, ndërsa tregoi se mund të jetë një alternativë me shumë vlera për trajnerin Edi Martini gjatë kampionatit.

Po aq pozitiv ishte edhe Edon Murataj, i cili po vazhdon të konfirmojë momentin e tij të mirë. Mesfushori kuqeblu shënoi për të dytën ndeshje radhazi, pasi kishte gjetur rrjetën edhe në miqësoren ndaj Otrantit, ndërsa kësaj here kontribuoi edhe me një asist për golin e dytë të Tahirit. Aktivizimi i tij mes linjave, depërtimet në zonë dhe ndikimi në fazën sulmuese tregojnë se Murataj po fiton gjithnjë e më shumë peshë në skemat e Vllaznisë.

Me kampionatin që po afron, paraqitje të tilla janë një lajm i mirë për stafin teknik të kuqebluve. Jo vetëm që Tahiri po shfaq instinktin e golit, por edhe Kubazi e Murataj po dëshmojnë se mund të bëjnë diferencën me krijimin e rasteve dhe efikasitetin në sulm. Nëse do të ruajnë këtë ritëm edhe në javët e ardhshme, Vllaznia do të ketë më shumë alternativa cilësore dhe një repart ofensiv shumë më të pasur për objektivat e sezonit të ri.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments