Tuesday, August 4, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit të Vllaznisë Auron Miloti

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit të Vllaznisë Auron Miloti

Shkruar nga Gjergj KOLA

Ka qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer futbollistësh dhe ndoshta nuk ka marrë maksimumin prej këtij sporti por Auron Miloti gjithsesi e ka shkruar emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 52 vjetorit të lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “SHKODRA SPORT” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Pasioni i tij i madh në fëmjëri në fakt ka qenë muzika, por më pas kalon tek futbolli, aty ku dhe do të bënte emër. Në vitin 1992 do të kalonte tek ekipi i parë i Vllaznisë me të cilin do të spikaste menjëherë si një sulmues i mirëfilltë dhe golashënues i spikatur. Do të luante me kuqeblutë deri në vitin 1994 sepse më pas transferohet tek Tirana.

Me bardheblutë ka në fakt sukseset më të mëdha të karrierës së tij duke u shpallur 3 herë kampion i Shqipërisë në sezonet 1994-1995, 1995-1996 dhe 1996-1997. Po ashtu do të fitonte Kupën e Shqipërisë në sezonin 1995-1996. Gjatë këtyre viteve që ai luajti për Tiranën, debutoi edhe me kombëtaren shqiptare të futbollit me të cilën do të luante të luante në dy ndeshje miqësore, atë ndaj Maltës më 16 gusht 1995 (2-1) dhe Bosnjë- Hercegovinës më 30 nëntor të po atij viti.

Ndërkohë, në sezonin 1998-1999 do të rikthehej sërish tek Vllaznia me të cilën do të renditej në vendin e dytë në kampionat dhe po ashtu edhe finalist i Kupës së Shqipërisë. Një sezon më vonë do të rikthehej tek Tirana për të qëndruar vetëm një vit dhe më pas do të niste rrugëtimi i tij jashtë vendit.

Fillimisht në Gjermani ku do të luante me FSV CM Veritas për disa muaj dhe më pas do të transferohej në Austri, vend ku do të luante për 15 vite me rradhë derisa do t’i jepte fund futbollit të luajtur. Atje do të luante për 4 sezone me SW Worgl, më pas me LASK, SV Feldkirchen, SV Globasnitz dhe Liebenfels. Me këto ekipet e fundit do të bënte edhe detyrën e trajnerit, përveçse do të vazhdonte të luante edhe vetë në fushë.

Ndërkohë në vitin 2021 do të rikthehej në Shqipëri dhe pikërisht te Vllaznia ku do të bënte fillimisht detyrën e skautit dhe më pas do të ishte zëvendëstrajner teksa fiton edhe Kupën e Shqipërisë. Ndërsa në sezonin 2022-2023 do të emërohej drejtor sportiv i kuqebluve. Po gjatë këtij sezoni, Miloti do të kryente për pak kohë edhe detyrën e trajnerit të ekipit të parë të Vllaznisë.

Prej dy vitesh e gjysëm Auron Miloti tashmë punon në Bashkinë Shkodër. Fillimisht si këshilltar i kryebashkiakut Beci dhe tashmë është drejtor i sportit në këtë institucion.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments