Tuesday, August 4, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESokol Uldedaj, 17 vjeçari që po projektohet si titullar te Vllaznia. E...

Sokol Uldedaj, 17 vjeçari që po projektohet si titullar te Vllaznia. E favorizon rregulli i ri i FSHF-së

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia pritet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë elementit të ri gjatë sezonit 2026- 2027. Ndryshimi i rregullores nga FSHF, që detyron klubet të aktivizojnë nga minuta e parë një futbollist të lindur pas vitit 2007, ka bërë që stafi teknik të punojë prej javësh për të përcaktuar emrin që do të mbajë këtë rol.

Aktualisht, më i favorizuari në radhët e kuqebluve duket të jetë Sokol Uldedaj. Futbollisti i krahut ka fituar terren gjatë kësaj periudhe përgatitore dhe është projektuar si pjesë e formacionit titullar. Aktivizimet e tij në ndeshjet miqësore kanë qenë bindëse, ndërsa trajneri Edi Martini duket se i beson cilësive të 18-vjeçarit, i cili jo vetëm plotëson kriterin e vendosur nga Federata, por ka treguar edhe personalitet në fushën e lojës.

Megjithatë, Uldedaj nuk është i vetmi i ri që synon të fitojë më shumë hapësira. Në skuadrën shkodrane janë edhe disa futbollistë të tjerë të grupmoshës U-21, të cilët prej disa sezonesh janë pjesë e ekipit të parë dhe tashmë synojnë të hedhin hapin e madh. Bëhet fjalë për Tafilin, Kubazin dhe Arën, tre lojtarë që gjatë fazës përgatitore kanë dhënë sinjale pozitive. Veçanërisht në ndeshjet miqësore, të tre kanë lënë përshtypje të mira me paraqitjet e tyre, duke treguar se mund të jenë alternativa të vlefshme për stafin teknik.

Angazhimi në stërvitje, por edhe performancat në fushë, kanë bërë që besimi ndaj tyre të rritet, ndërsa konkurrenca për një vend në formacion pritet të jetë më e fortë se në sezonet e kaluara. Natyrisht, ndeshjet miqësore nuk janë gjithmonë treguesi më i saktë i asaj që do të ndodhë në kampionat. Ritmi, niveli i kundërshtarëve dhe eksperimentet taktike e bëjnë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve përfundimtare.

Megjithatë, sinjalet që kanë dhënë të rinjtë e Vllaznisë gjatë kësaj vere janë inkurajuese dhe i japin stafit teknik më shumë alternativa për sezonin e ri. Me kampionatin që po afron, mbetet për t’u parë nëse Uldedaj do ta konfirmojë statusin e titullarit dhe nëse Tafili, Kubazi e Ara do të arrijnë të fitojnë minuta të rëndësishme gjatë sezonit. Ajo që duket e sigurt është se Vllaznia do të mbështetet më shumë se më parë te lojtarët e akademisë, duke tentuar të ndërtojë një skuadër që kombinon eksperiencën me potencialin e brezit të ri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments