Monday, August 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREEKSKLUZIVE / Vllaznia siguron ish-sulmuesin e Lazios

EKSKLUZIVE / Vllaznia siguron ish-sulmuesin e Lazios

Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia ka arritur marrëveshjen me sulmuesin Mamadou Tounkara, i cili pritet të jetë përforcimi i radhës i kuqebluve në repartin ofensiv. “Shkodra Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit se Tounkara ka firmosur dhe nesër, pritet të bëhet edhe prezantimi i tij si futbollist i Vllaznisë. Nga sa bëhet me dije, bëhet fjalë për një sulmues 30-vjeçar, me origjinë senegaleze dhe i lindur në Spanjë, i cili ka një karrierë të pasur në futbollin italian.

Tounkara është formuar në akademinë e Barcelonës përpara se të kalonte te Lazio, ku qëndroi për disa vite dhe regjistroi edhe dy paraqitje në Serie A. Gjatë karrierës së tij, sulmuesi ka luajtur në huazim edhe me Crotone dhe Salernitana në Itali, ndërsa në vitin 2018 pati një eksperiencë në Shqipëri me Flamurtarin e Vlorës, ku u aktivizua në Kategorinë Superiore.

Pas aventurës shqiptare, ai vijoi karrierën me Schaffhausen në Zvicër dhe më pas me Zemplín Michalovce në Sllovaki. Në Itali, Tounkara ka veshur gjithashtu fanellat e Viterbeses, Cittadellas, Avellinos, Foggias, Avezzanos dhe Guidonia Montecelios. Në mars të këtij viti ai u rikthye te Guidonia Montecelio, ku u aktivizua në Serie C.

Tounkara vjen te Vllaznia me një eksperiencë të gjatë në futbollin italian, teksa në karrierën e tij numëron rreth 150 ndeshje dhe 25 gola, ndërsa sezonin e fundit me Guidonia Montecelio në Serie C u aktivizua në 7 takime. Tashmë, pas eksperiencës së tij të fundit në futbollin italian, Tounkara rikthehet në Shqipëri, këtë herë për të veshur fanellën e Vllaznisë. Nëse gjithçka ecën sipas planit, sulmuesi do të prezantohet zyrtarisht nesër në Shkodër, duke u vendosur menjëherë nën urdhrat e stafit teknik kuqeblu.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments