Sunday, August 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLLiam Idershaj, brezi i tretë i një familjeje futbollistike

Liam Idershaj, brezi i tretë i një familjeje futbollistike

Shkruar nga Namik MEHMETI

Liami, 15-vjeçari i lindur në Firence nga prindër shqiptarë – nëna nga Shkodra dhe babai nga Skrapari – iu përkushtua me shumë pasion dhe vullnet futbollit që në moshën 9-vjeçare.

Ai u regjistrua në shkollën e futbollit “Scuola Calcio Settignanese”, e cila mban emrin e trajnerit të mirënjohur të kombëtares italiane, F. Valcareggi. Deri në moshën 13-vjeçare, aty mori njohuri teorike dhe teknike nga trajnerë të diplomuar në Coverciano të Firences.

Kjo përgatitje i hapi rrugën Liamit për të kaluar në ekipet zinxhir të këtij klubi. Ai u aktivizua me ekipin U-15 të U.S. Settignanese, në rolin e sulmuesit, duke fituar shpejt besimin e trajnerit veteran të Toskanës, Maurizio Romei.

Ndonëse kaloi një situatë jo të lehtë pas një dëmtimi të pësuar gjatë një ndeshjeje, Liami arriti të rikuperohej shpejt dhe trajneri Romei i besoi sërish rolin e sulmuesit. Liami zotëron një përgatitje të mirë fizike dhe në vijën e sulmit luan me të dyja këmbët. Ai është i fortë edhe në duelet ajrore, ku falë shtatlartësisë së tij prej 1.85 metrash, godet fuqishëm edhe me kokë.

Këto cilësi të djaloshit 15-vjeçar u manifestuan edhe në një turne ndërkombëtar ku Settignanese mori pjesë në Pragë. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrëse ekipe U-15 nga Anglia, Gjermania, Polonia dhe vendi organizator, Çekia.

Klubi i futbollit Settignanese u rendit në vendin e dytë, pas ekipit përfaqësues të Anglisë.

Me këtë aktivitet, trajneri Maurizio Romei i dha fund një karriere të gjatë me ekipet e moshave. Si kujtim dhe shenjë përshëndetjeje, ai u dhuroi futbollistëve një kornizë të artë me foton e ekipit U-15 të Settignanese, pjesëmarrës në turneun e Pragës.

Liami rikthehet në këtë sezon futbollistik shumë i motivuar dhe, në të njëjtën kohë, i frymëzuar nga gjyshi i tij, Resmiu, i cili ka luajtur në vitet ’60 në Kampionatin e Kategorisë së Dytë në Shqipëri, me ekipin e Skraparit.

Ai ka pasur fatin të luajë përkrah disa prej legjendave të futbollit shqiptar, si portieri shkodran Paulin Ndoja, mbrojtësi kryeqytetas Gezim Kasmi, si dhe me ekipin e Studentit, ku ka pasur shokë skuadre futbollistë të njohur si O. Brahja, B. Pregja, F. Mersini etj. Më pas ka luajtur edhe me Librazhdin, në rolin e mbrojtësit.

Edhe babai i Liamit, Qaniu (Nini), ka qenë një emër i njohur në ekipet e moshave, ku spikaste si një futbollist virtuoz me topin dhe luante në mesin e fushës. Megjithatë, karriera e tij u mbyll shpejt, pasi në vitin 1991 emigroi së bashku me familjen në Firence.

Kështu, Liami ka marrë përsipër të mbajë gjallë traditën futbollistike të familjes Idershaj, duke e trashëguar pasionin për futbollin në brezin e tretë.

Një histori familjare që nis në Shqipëri, vazhdon në Itali dhe tashmë ka një tjetër protagonist: një 15-vjeçar që ëndërron të shkruajë kapitullin e tij në historinë e futbollit të familjes.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments