Shkruar nga Endri ÇINARI
Shkodra do të ketë një përfaqësim të konsiderueshëm në Superiore këtë sezon, edhe pse jo të gjithë futbollistët shkodranë do të veshin fanellën e Vllaznisë. Janë plot 12 lojtarë me origjinë shkodrane që militojnë në ekipet e tjera të elitës dhe pritet të japin kontributin e tyre gjatë këtij kampionati.
Në portë janë Guri te Laçi dhe Kiri te Dinamo. Në repartin e mbrojtjes aktivizohen Preka te Partizani, Fangaj te Teuta, Gjini tek Elbasani dhe Smajli te Egnatia, duke e bërë të ndjeshme praninë e futbollistëve shkodranë edhe në prapavijat e skuadrave të ndryshme.
Edhe mesfusha ka një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish. Qokthi është pjesë e Partizanit, Krymi i Tiranës, Qardaku i Dinamos, ndërsa Nikaj aktivizohet me Elbasanin. Katër mesfushorë që do të përballen këtë sezon në fushat e Superiores, por që i bashkon origjina shkodrane.
Për të kompletuar listën janë dy sulmuesit Hebaj dhe Gruda, pjesë respektivisht e Elbasanit dhe Egnatias. Kështu, 12 futbollistë shkodranë janë të shpërndarë në disa prej skuadrave të Superiores, duke përfaqësuar qytetin e tyre në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
Shumica prej tyre janë prodhim i akademisë së Vllaznisë, ndërsa ka edhe futbollistë që janë zhvilluar në akademitë private të qytetit apo edhe jashtë vendit. Megjithatë, të gjithë kanë një komponent të përbashkët: Shkodrën, qytetin e tyre të origjinës dhe një nga vatrat më të rëndësishme të futbollit shqiptar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


