Vinicius Junior është përfshirë në polemika që në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit të ri me Real Madridin, pas kritikave për sjelljen e tij në fushë. Braziliani ishte në qendër të vëmendjes gjatë fitores 2-1 ndaj Espanyolit, ku u akuzua se në disa raste tentoi të simulonte faulle, duke shkaktuar tension me kundërshtarët.
Kritikat ndaj sulmuesit 26-vjeçar kanë ardhur edhe nga ish-portieri i Real Madridit, Santiago Cañizares, i cili ka përdorur tone të forta për të komentuar situatën e brazilianit.
“Gjatë kësaj vere pati një diskutim. Ai kishte vetëm një vit të mbetur në kontratë dhe opsionet ishin të qarta: ta shisnin apo ta mbanin. Pyetja ishte se çfarë fitohet nga loja e tij dhe çfarë humbet nga sjellja e tij. Dhe e dini çfarë ndodhi? Askush nuk e do atë në të vërtetë”, deklaroi Cañizares.
Ai vijoi edhe më tej me kritikat, duke pretenduar se Vinicius nuk kishte marrë oferta nga klubet e tjera.
“Askush nuk dëshiron një lojtar të tillë në ekipin e tij. Nuk mendoj se ai mori ndonjë ofertë. Real Madridi u detyrua t’ia zgjaste kontratën, sepse ndoshta asnjë klub nuk e kontaktoi atë apo agjentin e tij”, shtoi ish-portieri spanjoll.
Cañizares tha me ironi se ndonjë klub më i vogël mund të ishte i interesuar për brazilianin, duke përmendur Newcastle si shembull.
Megjithatë, pavarësisht kritikave për sjelljen e tij, Vinicius ka pasur një sezon të kaluar të suksesshëm në aspektin statistikor. Ai shënoi 22 gola dhe regjistroi 14 asistime në 53 paraqitje me Real Madridin.
Braziliani gjithashtu ka rinovuar kontratën me klubin madrilen, duke qëndruar në “Santiago Bernabéu” deri në vitin 2032. Sipas Transfermarkt, vlera e tij në tregun e transferimeve llogaritet rreth 140 milionë euro.


