Shkruar nga Endri ÇINARI
Tifozët e Vllaznisë nuk po e fshehin më zhgënjimin me skuadrën dhe situatën që po kalon klubi në këtë start të sezonit. Rezultatet negative dhe paraqitjet larg pritshmërive kanë sjellë një klimë të rënduar në radhët e mbështetësve kuqeblu, të cilët po shprehin hapur pakënaqësinë e tyre.
Pas humbjes me Teutën, zërat kritikë janë shtuar ndjeshëm, me tifozët që kërkojnë përgjegjësi për këtë nisje të komplikuar. Madje, një pjesë e tyre kanë shkuar edhe më tej, duke kërkuar dorëheqjen e personave që kanë role drejtuese apo përgjegjësi në funksionimin e klubit.
Për mbështetësit shkodranë, problemi nuk lidhet vetëm me rezultatet e këtyre javëve, por me mënyrën se si është ndërtuar skuadra gjatë muajve të fundit. Sipas tyre, lëvizjet në merkato, largimet e disa prej titullarëve të sezonit të kaluar dhe zëvendësimet e tyre nuk kanë krijuar një ekip që të japë garanci në fushë.
Situata është edhe më shqetësuese për tifozët për faktin se Vllaznia po e nis sezonin në një pozicion që nuk përputhet me pritshmëritë e tyre. Mungesa e rezultateve, problemet në mbrojtje dhe vështirësitë për të prodhuar lojë e gola kanë shtuar ndjesinë se kuqeblutë mund të përballen me një sezon të komplikuar nëse nuk ndryshon diçka shpejt.
Në Shkodër kërkohet tashmë një reagim konkret dhe jo vetëm deklarata. Mbështetësit duan të shohin një skuadër që rikthen karakterin, luftën dhe shpirtin e garës, ndërsa presioni mbi drejtuesit, stafin teknik dhe futbollistët sa vjen e rritet. Çdo tjetër hap fals pritet ta thellojë edhe më shumë klimën e pakënaqësisë.
Mesazhi i tifozëve është i qartë: Vllaznia duhet të reagojë menjëherë. Sezoni është ende në fazat e para, por problemet janë shfaqur hapur dhe kërkojnë zgjidhje. Për një klub me pritshmëri dhe histori si Vllaznia, mbështetësit kuqeblu kërkojnë që përgjegjësit të marrin masa dhe skuadra të nisë sa më shpejt kthesën në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


