Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për sportin e volejbollit në Shkodër dhe veçanërisht për atë të femrave, e nëse duhet të përmendim trajnerët që kanë lënë gjurmë me punën e tyre, një nga emrat më të suksesshëm padyshim që është ai i Vehbi Sulejmani, i vlerësuar nga Bashkia Shkodër si “Trajneri i Shekullit” i SK Vllaznia në sportin e volejbollit.
Po ndalemi sot te ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të dyvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Si rrjedhojë ky është një moment i mirë për ta kujtuar sërish dhe për ta rikthyer në vëmendjen e sportdashësve shkodranë, por edhe të sportisteve që kanë dalë nga duart e tij.
Vehbi Sulejmani ka lindur në Shkodër më 21 maj 1933 dhe në rininë e tij zgjodhi të merrej me volejboll. Shumë shpejt ai do të bëhej pjesë e ekipit të të rriturve të Vllaznia, me të cilin do të luante deri në vitin 1965, duke mbuluar rolin e pasuesit, por edhe të organizatorit të lojës.
Pas përfundimit të karrierës si sportist, ai do të niste atë si trajner, duke marrë drejtimin e ekipit të të rejave të Vllaznia. Këtë detyrë do ta ushtronte për më shumë se dy dekada, me shumë dëshirë e pasion, duke nxjerrë nga duart e tij elementët më cilësorë të volejbollit shkodran, disa prej të cilave më pas do të bëheshin edhe pjesë e ekipeve kombëtare.
Mjafton të intervistosh volejbollistet e atyre viteve dhe padyshim që emri i parë që ato përmendin është ai i trajnerit të tyre, Vehbi Sulejmani. Një njeri shumë i mirë, edukator dhe prind për të gjithë sportistët. Profesori Vehbi shquhej për qetësinë e tij, për mënyrën e komunikimit dhe për shumë cilësi të tjera që e bënin atë të veçantë dhe që i fitonin respektin e të gjithëve.
Për gjithë kontributin e dhënë ndër vite pranë volejbollit shkodran, përveç vlerësimit si “Trajner i Shekullit”, ai është nderuar edhe me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak Shkodër në vitin 2014, me titullin “Nderi i Sportit Shkodran” nga Këshilli Sportiv i qytetit në vitin 2006, si dhe me “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Volejbollit në vitin 2017.
Vehbi Sulejmani u nda nga jeta më 7 tetor 2024 në moshën 91 vjeçare duke lënë pas kujtime shumë të mira dhe kjo padyshim që e bën atë një emër të nderuar të historisë së volejbollit shkodran dhe shqiptar./www.shkodrasport.com/


