Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia kërkon golat me rikthimin e kampionatit. Shkodranët do të rikthehen në aksion me një problem të qartë për t’u zgjidhur: produktivitetin ofensiv. Pas pesë javëve të para të kampionatit, kuqeblutë kanë arritur të shënojnë vetëm pesë gola, një shifër që i rendit mes skuadrave me rendimentin më të dobët në repartin ofensiv të Superiores. Me rikthimin e kampionatit, përgjegjësia për ndryshimin e kësaj situate bie mbi të gjithë skuadrën, por në veçanti mbi lojtarët e repartit të avancuar.
Balaj & Co janë përpara një tjetër përgjegjësie, pasi golat do të jenë një nga çelësat për të ndryshuar situatën e Vllaznisë në renditje. Kapiteni Bekim Balaj mbetet një nga figurat kryesore të këtij grupi, ndërsa trajneri i ri Csaba Laszlo ka nisur të punojë edhe për t’i dhënë skuadrës më shumë alternativa dhe prezencë në fazën sulmuese. Për një ekip që synon të reagojë pas një starti të vështirë, efikasiteti përpara portës do të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe organizimi taktik.
Shifrat e ndeshjeve të fundit e bëjnë edhe më të dukshme këtë nevojë. Në dy duelet e fundit të kampionatit, ndaj Laçit dhe Teutës, Vllaznia nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Në të dyja këto përballje shkodranët janë larguar nga fusha pa gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa skuadra ka pësuar edhe dy humbje që kanë ndikuar në situatën e krijuar pas pesë javësh. Kjo e bën rikthimin në kampionat një mundësi për të ndryshuar edhe këtë aspekt.
Në këtë pikë, sfida me Dinamon merr një rëndësi të veçantë. Kundërshtari është një ekip i nivelit të lartë dhe një përballje që nuk premton aspak një mision të lehtë, por pikërisht ndeshje të tilla kërkojnë më shumë nga reparti ofensiv. Vllaznia duhet të jetë më konkrete në rastet që do të krijojë, pasi nëse golat mungojnë, edhe një paraqitje e mirë mund të mos mjaftojë për të marrë pikë.
Ardhja e Laszlos ka sjellë edhe një frymë të re në skuadër, me teknikun hungarez që në seancat stërvitore ka kërkuar më shumë lëvizje, agresivitet dhe alternativa në fazën e sulmit. Ndryshimi i skemës dhe ideja për një futboll më ofensiv synojnë pikërisht të rrisin numrin e rasteve dhe, mbi të gjitha, golave. Tani mbetet për t’u parë nëse këto ide do të përkthehen në produkt konkret në ndeshjet zyrtare.
Përballë Dinamos, pra, Vllaznia nuk kërkon vetëm një paraqitje pozitive, por edhe golat që i kanë munguar në javët e fundit. Pesë gola në pesë javë dhe asnjë gol në dy ndeshjet e fundit janë shifra që duhen përmirësuar nëse kuqeblutë duan të ndryshojnë kursin. Sfida e radhës do të jetë një test i fortë për Laszlon dhe skuadrën e tij, por edhe një mundësi për Balajn dhe shokët e tij që të japin sinjalin e parë të reagimit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


