Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia e drejtuar nga Csaba Laszlo duket se po ndryshon gradualisht jo vetëm rezultatet, por edhe mënyrën e të luajturit në fushë. Trajneri hungarez ka sjellë një tjetër filozofi sa i përket vendosjes taktike të skuadrës, duke i dhënë ekipit shkodran më shumë alternativa në ndërtimin e lojës dhe në organizimin e repartit mbrojtës e atij sulmues.
Nën drejtimin e trajnerit të mëparshëm, Edi Martini, kuqeblutë ishin përshtatur kryesisht me skemën 3-5-2. Një vendosje që u përdor në pjesën dërrmuese të ndeshjeve dhe që ndryshonte rrallë, duke e bërë këtë mënyrë organizimi një nga tiparet kryesore të Vllaznisë së sezonit të kaluar.
Por ardhja e 62-vjeçarit Csaba Laszlo në krye të ekipit duket se ka sjellë një qasje të re. Hungarezi po eksperimenton me alternativa të ndryshme taktike, duke synuar të shfrytëzojë më mirë karakteristikat e futbollistëve që ka në dispozicion. Ndryshimi më i dukshëm ishte kalimi në një rreshtim me katër mbrojtës, ndryshe nga skema me tre lojtarë në prapavijë që karakterizonte skuadrën më parë.
Në fitoren 1-0 ndaj Dinamos, që i dhuroi Vllaznisë suksesin e parë sezonal në kampionat, shkodranët u prezantuan fillimisht me skemën 4-2-3-1. Një vendosje që i dha ekipit një organizim ndryshe, me dy lojtarë përpara mbrojtjes dhe një mbështetje më të strukturuar për sulmuesin kryesor. Ndërkohë, gjatë zhvillimit të ndeshjes, skuadra kalonte edhe në rreshtimin klasik 4-4-2, duke treguar se mund të përshtatet sipas situatave të lojës.
Ky fleksibilitet taktik mund të jetë një nga elementët që Laszlo synon të ndërtojë te Vllaznia. Mundësia për të ndryshuar vendosjen gjatë ndeshjes, pa humbur ekuilibrin mes reparteve, i jep skuadrës më shumë alternativa si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Përballë kundërshtarëve të ndryshëm, kuqeblutë mund të mos jenë më të kufizuar në një skemë të vetme, por të përshtatin lojën sipas nevojave të takimit.
Fitorja ndaj Dinamos ishte një sinjal pozitiv në këtë drejtim, edhe pse mbetet ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare mbi ndryshimet e bëra nga trajneri hungarez. Ajo që duket e qartë është se Vllaznia e Laszlos po kërkon një identitet të ri taktik, me më shumë variacion dhe alternativa në fushë. Tashmë, sfida e radhës do të jetë që këto ndryshime të përkthehen në vazhdimësi rezultatesh dhe të ndihmojnë skuadrën të dalë nga pozitat e vështira në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


