Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia B po kthehet gjithnjë e më shumë në një burim të rëndësishëm lojtarësh për ekipin e parë. Përveç rezultateve pozitive dhe kryesimit të kampionatit në Kategorinë e Dytë, skuadra e drejtuar nga Brikeno Bizi po arrin të nxjerrë në pah elementë të rinj, të cilët kanë bindur drejtuesit e klubit për t’u dhënë mundësinë e kalimit në ekipin e parë.
I pari që ka bërë këtë hap është Flori Spahija. Mbrojtësi 23-vjeçar u zyrtarizua pak ditë më parë si pjesë e skuadrës së parë, duke u rikthyer kështu në këtë grup pas aktivizimit me Vllaznia B. Paraqitjet e tij pozitive dhe paraqitja e sigurisë në repartin defensiv kanë bindur drejtuesit për t’i besuar sërish një vend në ekipin që garon në Superiore.
Megjithatë, Spahija duket se nuk do të jetë i vetmi futbollist që do të përshkojë këtë rrugë. Sipas informacioneve, edhe mesfushori Enes Papaj ka firmosur një kontratë me kuqeblutë, e cila pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Një tjetër shpërblim ky për futbollistin, që ka qenë ndër elementët më të spikatur të Vllaznia B, duke spikatur me paraqitjet e tij në Kategorinë e Dytë.
Por lista e emrave që mund të kalojnë në ekipin e parë nuk mbyllet me kaq. Në rrugën drejt firmës me kuqeblutë janë edhe Ersi Zaganjori, një mesfushor me tipare sulmuese, si dhe sulmuesi 19-vjeçar Seralb Hotaj. Ky i fundit ka treguar vlerat e tij jo vetëm përmes lojës, por edhe me kontributin në shënimin e golave, duke realizuar tre të tillë dhe duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të kampionatit.
Në këtë mënyrë, Vllaznia B po dëshmon se roli i saj nuk kufizohet vetëm te rezultatet sportive. Kryesimi i Kategorisë së Dytë shoqërohet edhe me një tjetër objektiv të rëndësishëm, atë të përgatitjes dhe promovimit të futbollistëve që mund të bëhen pjesë e skuadrës së parë. Një proces që duket se po jep frytet e para, me disa emra që tashmë janë pranë një hapi të rëndësishëm në karrierën e tyre.
Në fakt, krijimi i Vllaznia B kishte pikërisht këtë synim që në fillim. Drejtuesit e klubit e kanë konceptuar këtë skuadër si një urë lidhëse mes futbollistëve të rinj dhe ekipit të parë, duke u dhënë mundësi elementëve më të spikatur të fitojnë eksperiencë dhe të tregojnë potencialin e tyre. Tashmë, me Spahijën e zyrtarizuar dhe Papajn, Zaganjorin e Hotajn në prag të këtij hapi, duket se projekti po merr gjithnjë e më shumë formë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


