Për Vllazninë e futbollit të femrave sot mund të jetë luajtur ndeshja e saj e fundit në kampionat sepse tashmë pritet tërheqja e saj nga kampionati. Problemet e kësaj skuadre kanë nisur nga fillimi i sezonit me dorëheqjen e presidentit Lazer Matija dhe kanë vijuar me largimin e disa lojtareve e kjo ka sjellë pasiguri për të ardhmen.
Kjo është shoqëruar edhe me mungesën e rezultateve sepse Vllaznia sot u mund nga Apolonia 3-0 brenda në Shkodër dhe një situatë e tillë nuk jep shpresa për vazhdimësinë. Madje edhe trajneri Nikolin Leka pas ndeshjes me fieraket la të hapur mundësinë që ky mund të jetë fundi i dominimit të Vllaznisë.
Sigurisht që nëse do të ndodhte diçka e tillë do të ishte një mëkat i madh, por duket se nuk ka zgjidhje tjetër. Në ndeshjen e sotme ndaj Apolonisë kemi parë “hijen” e Vllaznisë së vërtetë. Një ekip 13 herë kampion i Shqipërisë tashmë pa identitet dhe i tjetërsuar. Edhe vetë futbollistet që luajtën në fushë duket se e parandjenin se ishte ndeshja e tyre e fundit me fanellën kuqeblu.
Gjithsesi ditët në vijim do të sjellin dhe lajmin përfundimtar nga Shoqata e Futbollit të Femrave Vllaznia, nëse ky ekip do të shkrihet apo do të marrë pjesë formalisht në kampionat pa asnjë lloj pretendimi.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


