Shkruar nga Gjergj KOLA
Kombëtarja U17 e Shqipërisë është grumbulluar për ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, UEFA EURO 2027. Shqipëria do të jetë mikpritëse e mini-turneut të Grupit 4, ku do të përballet me Suedinë, Skocinë dhe Finlandën, në tri sfida që do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pjesë e kombëtares kuqezi përveç lojtarit të Interit Tom Keqi është edhe një shkodran tjetër. Bëhet fjalë për portierin Bleron Çeliku. I datëlindjes 25 janar 2010, ai jeton në Francë bashkë me familjen e tij. Vend ku dhe ka filluar të merret me futboll duke qenë për disa vite pjesë e Akademisë së “GAP FOOT 05”.
Paraqitjet e mira aty kanë bërë që drejtuesit e Akademisë së Olimpique Marseille të hedhin sytë drejt tij dhe si rrjedhojë që prej një viti e gjysëm është pjesë e saj. Sigurisht që të jesh pjesë e këtij klubi të madh francez është një vlerësim, megjithatë Bleroni po mundohet ta justifikojë me paraqitjet e tij.
Të njëjtën gjë do të bëjë edhe me kombëtaren shqiptare ku do të tentojë të luajë sa më mirë dhe të justifikojë besimin e trajnerit Dama dhe stafit të tij për ftesën e marrë për të përfaqësuar me dinjitet fanellën kuqezi.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


