Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për ecurinë e Kombëtares shqiptare në Nations League, objektivat për kualifikueset e Euro 2028, zhvillimin e kampionatit shqiptar dhe organizimin e Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027, që Shqipëria do të presë së bashku me Serbinë.
I ftuar në rubrikën “Sport Fokus” në Ora News, në një intervistë me gazetaren Sabina Mete, kreu i qeverisë së futbollit e cilësoi të suksesshme fushatën e Kombëtares në Nations League, duke theksuar se Shqipëria është rikthyer në Ligën B, aty ku sipas tij e meriton të jetë. Ai u shpreh i kënaqur edhe me punën e trajnerit Rolando Maran, ndërsa nënvizoi se objektivi për Euro 2028 duhet të jetë kualifikimi direkt dhe jo thjesht sigurimi i një vendi në play-off.
Duke folur për Kampionatin Europian U-21, Presidenti Duka e cilësoi organizimin e tij një shans historik për futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët do të kenë mundësinë të përballen me disa prej kombëtareve më të mira të Europës.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte ligji i sponsorizimit, për të cilin Presidenti Duka tha se nuk duhet konsideruar si një dhuratë për sportin, por si një e drejtë që i është mohuar prej vitesh. Ai kërkoi që mekanizmi i parashikuar prej 30% të bëhet funksional, duke propozuar korrigjime në mënyrën e zbatimit dhe kontrollit të tij.
Presidenti i FSHF e konsideroi të pamjaftueshme shumën prej 2 miliardë lekësh të parashikuar për sportin, kulturën dhe artin, duke argumentuar se nevojiten të paktën 10 miliardë lekë për të mundësuar projekte më të mëdha dhe për të mbështetur edhe klubet e vogla e akademitë sportive jashtë kryeqytetit.
– Sot në “Sport Fokus” do të flasim për ecurinë dhe suksesin e ekipit kombëtar, pikërisht në fushatën e Nations League, ekipin U-21 të Alban Bushit, por edhe kampionatin që na pret në vitin 2027, ku jemi vendi mikpritës së bashku me Serbinë. Do të flasim për Abissnet Superiore, por edhe për atë që po diskutohet kaq shumë, pikërisht ligjin e sponsorizimit. Për këto e të tjera, kam kënaqësinë të kem në një intervistë speciale presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, zotin Armand Duka. Kënaqësi, faleminderit që jeni me ne në “Sport Fokus”!
Një fushatë e suksesshme, 500 milionë lekë premio. Le ta nisim nga kjo, pasi ju jeni edhe dorëlëshuar, unë e di këtë gjë. E mbyllëm në vendin e parë dhe edicionin tjetër në Nations League luajmë pikërisht në Ligën B. Si ju është dukur kjo fushatë e ekipit kombëtar shqiptar?
– Rikthehemi aty ku realisht e meriton skuadra kombëtare shqiptare, aty ku është niveli i kësaj skuadre, në Ligën B. Mund ta quaj incident zbritjen në Ligën C në edicionin e kaluar, ku e mbyllëm me një ndeshje të fundit e cila mund të na bënte pretendentë për Ligën A, por faktikisht e humbëm kundër Ukrainës dhe kaluam në Ligën C.
Paraqitja e skuadrës ishte shumë e mirë, rezultatet ishin shumë të mira. Mund të ishin edhe më të mira për atë çfarë dha skuadra në fushë, sepse nuk mendoj që ishte një humbje e merituar edhe ajo në Finlandë.
Objektivi u realizua, por nuk ishte një objektiv shumë i vështirë. Objektivat e vështirë mbeten gjithmonë kualifikueset për kampionatin europian apo botëror, apo për t’u ngjitur nga Liga B në A.
Gjithsesi, në përmbledhjen e përgjithshme, ishte një edicion i suksesshëm, nuk mund të themi i përkryer, por një edicion në të cilin ekipi e ka vlerësuar maksimalisht, ka dhënë gjithçka në fushë, stafi gjithashtu. Duhen falënderuar futbollistët dhe stafi për punën, kontributin, seriozitetin dhe rezultatin, renditjen në vendin e parë. Por duhen falënderuar shumë edhe tifozët, sepse në një edicion si Nations League të kesh një stadium pothuajse plot në të gjitha ndeshjet është vërtet një rekord historik për futbollin shqiptar.
– President, tashmë do të jemi në Ligën B dhe aty do të duket edhe forca e vërtetë e ekipeve kundërshtare. Duhet të kemi pritshmëri të larta apo duhet të qëndrojmë edhe pak realistë, tashmë që do të kemi përballje me këto ekipe?
– Gjërat, jo vetëm në futboll, por gjithkund, vështirësohen sa më lart të jesh. Liga B, siç e thashë edhe pak më lart, është një nivel tjetër vështirësie. Ka më shumë konkurrencë, ekipe akoma më të forta, por ekipi ynë ka të gjitha mundësitë të përballet. Edhe në Ligën B ne mund të luftojmë për vendin e parë, por nuk është çudi të renditesh më poshtë.
Gjithsesi, mund të përmirësohesh vetëm me përballje të forta dhe me këtë lloj kompeticioni. Jam shumë i sigurt që do ta përgatisim mirë dhe do ta bëjmë mirë.
– Vendosët një objektiv në fillim të edicionit, padyshim vendin e parë. Trajneri Rolando Maran e arriti këtë gjë. Sa i kënaqur jeni me të gjithë punën e tij deri më tani dhe a e shihni atë edhe përtej eliminatoreve në projektin e Shqipërisë?
– Objektivi ishte një objektiv natyral, nuk e vendosëm ne. Vetë skuadra ka vendosur objektivat e saj. Vetë skuadra, me atë çfarë ka dhënë, ka pritshmëri të tjera. Kështu që ishte një detyrë shtëpie dhe jo një objektiv që ne të ishim të parët e grupit.
Faktikisht, ne ishim skuadra më e mirë e grupit, nëse do të shohim renditjen e katër skuadrave. Renditja është fiks ashtu siç është niveli i këtyre katër skuadrave që ishin në grup.
Për t’u kthyer te trajneri, padyshim që jam shumë i kënaqur me atë çfarë ka dhënë. Jo vetëm ai, sepse trajneri është ai që diskutohet dhe analizohet më shumë. Padyshim që ai është lideri i stafit, por në një skuadër futbolli sot ka më shumë staf sesa futbollistë. Kështu që ka qenë një punë serioze e të gjithë stafit të ekipit kombëtar, asistentëve, stafit mjekësor dhe të gjithëve nën drejtimin e tij.
U fillua relativisht keq me dy ndeshje miqësore, aq sa filluan shumë njerëz të vinin pikëpyetje.
– Po ju, president, vutë ndonjëherë në pikëpyetje?
– Ajo çfarë kam thënë që në ditën e parë, kur kemi emëruar dhe prezantuar Maranin, është se rezultati në futboll nuk është matematikë, nuk është gjithmonë i sigurt. Por për një gjë jam i sigurt: ne do të luajmë një futboll më të mirë me këtë trajner.
Padyshim që e kisha analizuar se çfarë kishte bërë në CV-në e tij, në ekipet e mëparshme në Itali, futbollin ofensiv dhe dëshirën e tij për të pasur një futboll më ofensiv sesa të tjerët. Dhe kështu rezultoi. Është fakt që ekipi ynë ka bërë ndeshje vërtet shumë të mira gjatë këtij edicioni. Edhe në atë humbje në Finlandë, ndeshja ishte vërtet e mirë dhe e bukur.
– Jeni shprehur se keni dashur të shikoni më shumë lojtarë të rinj. E kam dëgjuar këtë në një intervistë tuajën. Mos ishte kjo një përgjegjësi dhe detyrim më tepër i stafit teknik për ta bërë? Si e keni parë?
– Duke pasur parasysh kompeticionin Nations League dhe nivelin e vështirësive jo shumë të lartë, guximi mund të ishte akoma më i madh. Por, nga ana tjetër, mund ta mirëkuptoj edhe atë presionin e trajnerit. Duke qenë një trajner i ri, një staf i ri, me dëshirën për të demonstruar më shumë futboll të bukur dhe rezultate të mira, ndoshta nuk e ka lejuar veten t’u japë akoma më shumë minuta lojtarëve të rinj.
Janë afruar lojtarë të rinj, janë afruar në skuadër, por kanë marrë pak minuta. Mbase mund të kishin marrë pak më shumë dhe mbase mund të kishin guxuar akoma më shumë, sepse realisht ne kemi futbollistë shumë të mirë në ekipet e moshave, në ekipin U-19 dhe U-21, të cilët, sipas mendimit tim, janë gati për t’u prezantuar në ekipin A dhe do ta ndihmojnë shumë atë.
– Euro 2028 padyshim që është objektivi, por le të mos flasim vetëm për një vend në play-off, por për kualifikimin. I ka Shqipëria të gjitha cilësitë dhe alternativat për ta arritur këtë?
– Tashmë Shqipëria është dy herë pjesëmarrëse në kampionatin europian. Nëse dikur ishte utopi, sot është fakt dhe është detyrë që ne duhet ta luftojmë përsëri. Në futboll, e kam thënë dhe e kam thënë gjithmonë, nuk merr gjithmonë atë që meriton, por besoj se me ekipin që kemi dhe me ata që presim t’i bashkohen ekipit, i kemi gjithmonë mundësitë për të qenë pjesë e kompeticionit europian.
Play-off-i tashmë është pothuajse i arritur, por ne nuk duhet ta mendojmë play-off-in. Ne duhet të mendojmë kualifikueset, të luftojmë në këto kualifikuese, pasi të shohim edhe kundërshtarët më 6 dhjetor, dhe të jemi pjesë e Europianit nga fushata kualifikuese.
– Ndalemi te ekipi U-21. Vitin e ardhshëm, së bashku me Serbinë, është një promovim shumë i madh për vendin, për futbollin tonë dhe për të gjitha. Cilat janë pritshmëritë? Pamë dy miqësore shumë të rëndësishme dhe një paraqitje shumë pozitive ndaj Luksemburgut dhe Spanjës.
– Gjëja më e bukur është që ne organizojmë një Kampionat Europian në Shqipëri. Një nga përfitimet më të mëdha, përveç shumë përfitimeve të tjera, është edhe pjesëmarrja si vend organizator, që u jep mundësi këtyre futbollistëve të rinj të përballen me ekipet më të mira të Europës.
Shkalla e vështirësisë në Kampionatin Europian të 21-vjeçarëve është akoma më e madhe sesa shkalla e vështirësisë në ekipin A, sepse numri i skuadrave është më i vogël. Janë vetëm 16, nga të cilat 8 do të luajnë në Shqipëri dhe 8 në Serbi, të ndara me nga dy grupe respektivisht.
Është një shans historik për këta çuna që do të luajnë. Duhet ta shijojnë, duhet ta shfrytëzojnë, duhet të kënaqen me këtë shans historik, të kënaqin spektatorët gjithashtu dhe të bëhen shembull pozitiv për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, që të ndjekin ëndrrat e tyre në futboll.
Nëse do të arrijnë edhe një rezultat, padyshim që do të luftojnë dhe do të kenë shumë dëshirë. Cilësia nuk mungon, por duhet të kemi parasysh edhe shkallën e vështirësisë dhe kundërshtarët. Kërkesa kryesore është që të kënaqin veten, të kënaqin spektatorët dhe të luajnë futboll.
– Le të themi një luftë në thonjëza, e keni batutën gjithmonë gati. Është ajo midis Federatës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për talentet e rinj. Luftë në thonjëza, më dëgjoni deri sa të përfundoj. Duket pak kontradiktore që flasim për një paqe vëllazërore, por në të njëjtën kohë punojmë në prapaskenë për të thirrur të njëjtët lojtarë. I referohemi edhe rasteve të Rexhepit apo Lutfi Dalipit, që zgjedhin kombëtaren e Dardanëve, ndërkohë që edhe ne kemi punuar për t’i afruar në kombëtaren tonë. Si qëndron e vërteta? Nga ana tjetër, edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës flet për këtë paqe vëllazërore. A keni ju komunikime dhe si duhet të zgjidhet ky ngërç që të jetë vërtet paqe vëllazërore dhe të mos jetë kontradiktore?
– Shiko, nuk duhet ta ngatërroni futbollin. Futbolli është lojë, nuk është luftë. Fjala luftë në futboll ekziston vetëm për luftë sportive, për konkurrencë sportive, për ta promovuar gjithkush sa më shumë skuadrën e vet, në rastin konkret federatën e vet.
Unë nuk jam në luftë as me presidentin e Federatës së Francës, as me presidentin e Federatës së Gjermanisë, as me atë të Çekisë dhe aq më pak me atë të Kosovës. Aq më pak me institucionin e Kosovës, për të cilin luftë mund të konsideroj atë që kemi bërë të gjithë ne, jo vetëm unë, por edhe paraardhësit e mi në Federatën e Futbollit dhe e gjithë federata, për të qenë dhe për të ekzistuar Federata e Kosovës edhe në kohët kur ishte me shumë vështirësi. Kjo ka qenë luftë, kurse tjetra është konkurrencë sportive.
Në 90 minuta padyshim që konsiderohet luftë sportive kundër çdo lloj kundërshtari, por ne jemi të gjithë për një qëllim: për të zhvilluar futbollin.
Për t’u kthyer pak më konkretisht te pyetja juaj, politikat e Federatës së Futbollit, për fat të mirë ose të keq, unë jam për shumë kohë aty, kanë qenë gjithmonë të tilla: dyert e hapura për të gjithë shqiptarët.
Ka ndodhur gjatë kohës që jam unë që në kombëtaren shqiptare kanë luajtur shumë shqiptarë, të cilët kanë lindur dhe janë rritur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, për arsye të historisë së Shqipërisë. Kanë lindur në Kosovë, në Maqedoni apo diku tjetër. U është dhënë një shans dhe kanë pasur një mundësi më shumë për të luajtur në Shqipëri.
Kjo politikë as ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë. Kjo nuk do të thotë që ne i marrim futbollistët dikujt apo i japim futbollistët dikujt. Ne u japim shans për të luajtur dhe këtë të njëjtën gjë bën edhe Kosova, të njëjtën gjë bën edhe Gjermania.
Brajan Gruda është një djalë shqiptar, djali i Bujar Grudës, që ka luajtur me Vllazninë. Kjo do të thotë që ne jemi në luftë me Federatën gjermane? Jo. As me Federatën gjermane dhe as me familjen Gruda. Ne e duam shumë Brajanin, herë-herë bëjmë edhe tifozllëk për Gjermaninë, por e donim shumë që të vinte në Shqipëri. Ai vendosi të luajë në Gjermani dhe ne i urojmë sukses.
– President, flasim gjithmonë për suksesin e Federatës Shqiptare të Futbollit, pikërisht për ekipin kombëtar, dhe ky sukses është arritur. Megjithatë, t’i kthejmë pak sytë edhe nga kampionati shqiptar, që vuan herë pas here dhe çalon në disa gjëra, në disa pika, siç është infrastruktura, mungesa e tifozëve në stadium dhe cilësia. Çfarë duhet të bëjë ndryshe federata për të rikthyer tifozin? Futbolli është sporti më i populluar jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, por duam të kemi atë tifozin e dikurshëm, lojtarin e 12-të në shkallët e stadiumit. Cilat janë politikat që duhet të ndjekë më tepër Federata Shqiptare për ta rikthyer tifozin në stadium?
– Shiko, për infrastrukturën unë mendoj që cilësia e infrastrukturës në të cilën luhen kampionatet e kategorisë superiore, të parë dhe të dytë në Shqipëri ka një ndryshim rrënjësor, ka një zhvillim fantastik krahasuar me nivelin e ekonomisë shqiptare dhe me rajonin, sidomos kategoria superiore.
Ajo që i mungon infrastrukturës është sasia apo numri i impianteve sportive për fëmijët dhe për stërvitjen. Ndërsa për kampionatet kombëtare është e pranueshme. Nuk mund të themi që është si Gjermania apo Anglia, por në përgjithësi janë impiante simpatike dhe që ofrojnë komoditet për spektatorin.
Gjithashtu, kampionati ka bërë ndryshime shumë pozitive. Jo vetëm me fjalë që është më mirë, por edhe nëse shohim ranking-un apo renditjen e kampionatit shqiptar, vetëm në vitin e fundit ka një ndryshim të madh në renditjen e UEFA-s.
Ekipet e klubeve që kanë përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionet europiane gjithashtu kanë bërë paraqitje shumë të mira në vitin e fundit. Kemi një ekip në Conference League pas një pauze të gjatë, pas Skënderbeut që ishte pjesëmarrës dy herë në Europa League. Pra, ndryshime pozitive ka.
Por futbolli është një lojë ku gjithmonë kërkohet më shumë dhe asnjëherë nuk jemi të kënaqur me të. Kampionati ka nevojë që të ketë më shumë spektatorë, padyshim që po.
Kjo është një gjë komplekse. Prania e spektatorit në stadium dhe mbushja e tij nuk varet thjesht nga niveli i lojës. E tregon fakti që disa kampionate në Europë, ku edhe në kategorinë e pestë në Gjermani kemi stadiume plot, nuk besoj se kategoria e pestë në Gjermani është më e mirë sesa kategoria superiore në Shqipëri apo se stadiumet e kategorisë së pestë në Gjermani janë më të mira se stadiumet tona.
Pra, është një gjë komplekse, është çështje kulture, marketingu dhe komunikimi.
– Si mund ta rikthejë federata tifozin? Cili është ngërçi ku duhet të punojë pikërisht me këto politika për ta rikthyer?
– E para, duhet të më lësh ta vazhdoj. E dyta, nuk duhet ta ngatërrosh federatën me klubet.
Ajo që bën federata kryesisht është të udhëheqë politika dhe t’i trajnojë klubet se si ta bëjnë më mirë këtë, e udhëheq edhe nëpërmjet shembullit.
Ajo që bën federata është aktivizimi i ndeshjeve të ekipeve kombëtare, në të cilat vërtet e kemi stadiumin plot. Kështu që kjo është një nga mënyrat se si udhëheqim për t’i mbushur stadiumet.
Kemi edhe projekte enkas, ku bashkëpunojmë me klubet. Kemi vënë edhe fonde në dispozicion dhe buxhete se si mund ta ndryshojmë dhe si mund ta rrisim numrin e spektatorëve.
Por për mua personalisht është shumë e rëndësishme mënyra se si ne ia komunikojmë publikut produktin. Produkti i Abissnet Superiore është ndeshja e futbollit. Padyshim, siç ndërtojmë një strategji marketingu dhe promocioni për çdo produkt që shesim, e njëjta gjë duhet bërë edhe me futbollin.
Padyshim që duhet të ketë edhe kushte të mira në stadium. Kur them kushte të mira, nuk do të thotë thjesht karrige apo infrastrukturë, por edhe një ambient më të kulturuar.
Është komplekse. Edhe ne që shkojmë në stadium duhet të jemi më shumë fair dhe mirëpritës me ata që nuk na vijnë në stadium. Nëse na shohin që ne vetëm shajmë, bërtasim dhe ulërasim, në një lloj mënyre na braktisin. Nuk është faji i këtyre grupeve ultra, është faji ynë bashkë me klubet që duhet ta komunikojmë më mirë këtë produkt dhe të ofrojmë më shumë.
Por është edhe fakti i konkurrencës. Futbolli luhet pothuajse në çdo ditë në të gjithë Europën, me ndeshje të niveleve jashtëzakonisht të larta dhe nganjëherë njerëzit preferojnë të shohin një Manchester-Chelsea në televizion sesa një Laçi-Skënderbeu në fushë.
– Në ndeshjet e fundit të kombëtares pamë një prani të vogël lojtarësh nga kampionati shqiptar. A është ky një tregues se Superliga nuk prodhon aq shumë talente? Ku është ngërçi?
– Nuk është e vërtetë kjo. Por duhet të më lësh ta shpjegoj. Nuk është fare e vërtetë që Superliga nuk ka prodhuar talente dhe unë nuk e kuptoj pse e ke ti dhe disa të tjerë këtë tendencë për Superligën.
Superliga ka prodhuar dhe ka pothuajse më shumë se 50% të ekipit kombëtar shqiptar. Po të filloj t’i numëroj me emra: Dajsinani është nga kampionati shqiptar, Sherri është nga kampionati shqiptar, Muçi është nga kampionati shqiptar, Ramadani është nga kampionati shqiptar…
– Një moment, flas pikërisht për kampionatin shqiptar aktual.
– Atëherë, pse nuk vazhdojnë të luajnë në kampionatin shqiptar? Pse nuk marrim nga talentet që janë aktualisht në kampionat?
– Edhe njëherë, pasi ne i marrim në ekip kombëtar dhe këta shkojnë e luajnë jashtë shtetit, nuk quhen prodhime të kampionatit shqiptar? Nuk duhet ta bëni këtë lloj politike, sepse këta të fundit që përmendët janë pjesë…
– Jo, nuk është tendencioze, është puna e memories së shkurtër që keni dhe nuk i dini këto që ju thashë unë. Po s’më lë të vazhdoj t’i numëroj.
Ka 25 futbollistë ekipi kombëtar dhe janë mbi 12 që vijnë nga kampionati kombëtar. Çfarë mund të ketë më shumë? A duhet të ketë më shumë? Padyshim që po, por ne nuk mund të mbyllim derën për ata që rriten në Itali, Gjermani apo Belgjikë, sepse pastaj vijnë në diskutim pyetje të tjera: pse këtë nuk e afruat, pse këtë nuk e morët?
Kështu që ne marrim të gjithë më të mirët. Lojtari me më shumë kualitet sot në ekipin kombëtar shqiptar është Ernest Muçi, që ka ardhur nga kampionati shqiptar. Një tjetër me shumë kualitet është Ramadani, që ka ardhur nga kampionati shqiptar. Një tjetër me shumë kualitet është Julian Shehu, që ka ardhur nga kampionati shqiptar. Një tjetër me po aq kualitet është Uzuni, që ka ardhur nga kampionati shqiptar. Do të vazhdoj?
– President, e keqkuptuat pyetjen time.
– Nuk e keqkuptova, deri sa t’i them me emra, sepse nuk e kam thënë ndonjëherë dhe krijohet një lloj ideje që kampionati shqiptar nuk ka prodhuar gjë.
– Jo, nuk thashë që nuk ka prodhuar, momentalisht folëm.
– Momentalisht janë këta të gjithë në ekip.
– Jo, luajnë jashtë. Ernest Muçi është pjesë e Trabzonspor-it…
– Nga kanë ardhur, thashë? Nga kampionati grek? Nga kampionati shqiptar prapë, absolutisht nga kampionati shqiptar. T’i heqim këta tani? T’i heqim këta dhe të marrim disa të tjerë që luajnë në Shqipëri? Jo, nuk e zbeh suksesin e këtyre që janë të prodhuar.
Më vjen keq, gazetarët nuk janë tendenciozë. Se 25 mblidhen në skuadër maksimalisht ose 27. Tani ju si mendoni, të heqim Muçin, Uzunin, Ramadanin, Julian Shehun, Sherrin, Dajsinanin dhe të marrim disa të tjerë që ju të jeni një çikë më të lumtur?
– President, një nga çështjet më të nxehta së fundmi mbetet padyshim ajo për të cilën ju keni lobuar për shumë vite: ligji i sponsorizimit, që do të ndryshonte çdo gjë në futbollin shqiptar. Si qëndron e vërteta? Keni publikuar edhe një editorial tuajin. Çfarë kërkon realisht Federata Shqiptare e Futbollit? Cili është argumenti juaj?
– Shiko, unë nuk jam nga ata që besojnë se plani dyvjeçar sjell begati dhe nuk jam nga ata që besojnë se ligji për sponsorizimin do ta sjellë begatinë, por është një nga ato gjërat e rëndësishme që e ndihmon zhvillimin e sportit në Shqipëri.
Sepse, në fund të fundit, pa një incentivë financiare është shumë e vështirë për disa degë të ekonomisë, jo vetëm për futbollin, nëse do ta quaja edhe futbollin degë të ekonomisë, sepse është realisht një aktivitet sportiv i cili ndikon në ekonominë shqiptare, mbase më shumë sesa shumë gjëra të tjera.
E kam thënë në editorialin që ju përmendët se ndikimi i futbollit në ekonominë shqiptare është rreth 70 milionë euro në vit. Kjo është e studiuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe e faktuar. Ne kërkojmë që, duke qenë një ekonomi që ndikon kaq shumë, të marrë një pjesë të atij ndikimi për ta pasur ndikimin në të ardhmen akoma më të madh.
Nuk kërkohet sadaka, nuk kërkohet donacion, por investim. Investim i cili kthehet shumë më shumë nga ky aktivitet.
Ministria e Financave mendon që ne, nëpërmjet ligjit të sponsorizimit, qoftë edhe pretendimeve për të pasur pjesë nga buxheti i shtetit, i fusim dorën buxhetit. Jo, ne i japim buxhetit dhe kërkojmë të marrim atë që na takon, të cilën na e kanë mohuar për 35 vite dhe vazhdojnë të tentojnë të na e mohojnë.
Kur bëhet një ndryshim që duhet përshëndetur, ky që më në fund është në tavolinë pas një lufte shumë të gjatë, duan edhe ta promovojnë si një dhuratë. Nuk është dhuratë, është një gjë që na takon. Por duhet që ajo që dikush e konsideron dhuratë dhe ne e konsiderojmë të drejtë, të bëhet funksionale dhe të ndihmojë zhvillimin e futbollit.
Kur mendojnë për të miratuar ligjin e sponsorizimit, po qoftë edhe buxhetin dhe shpërndarjen e buxhetit, për të cilën lexova dje një shkrim të Gerti Çarçanit, ku thuhet se Shqipëria ka promovuar dhe trumbetuar një buxhet me 10 miliardë euro dhe ka një buxhet për sportin prej 8 milionë eurosh, ndërsa Kosova, me një buxhet më pak se gjysma jonë, 4.27 miliardë euro, ka një buxhet prej 70 milionë eurosh.
Ne kërkojmë që të bëjmë shumë më tepër se ata. Pastaj pashë aty edhe buxhetin e Bullgarisë, që ishte 107 milionë euro. Kështu që duhet të jemi të barabartë.
Kur mendojnë për ligjin dhe buxhetin, ata që i shkruajnë, burokratët, dhe këta që i miratojnë, të mos shohin fytyra përpara, asnjë president futbolli dhe asnjë trajner futbolli, por të shohin fëmijët e tyre duke luajtur futboll, të shohin fushat ku duhet të luajnë fëmijët e tyre. Nëse do ta shohin kështu, do të jenë më të arsyeshëm në logjikimin e tyre.
Për t’u kthyer konkretisht te pyetja dhe te çfarë ne mendojmë, unë e kam thënë në atë editorial që vërtet e përshëndes faktin që më në fund erdhi në tavolinë. Më në fund ka një zhvillim shumë pozitiv, që përcakton se 30% e tatimit mund të sponsorizohet.
Duhet bërë një korrigjim. E keqja është se ne kemi shkëmbyer miliona takime, miliona propozime dhe sugjerime se si duhet të jetë ligji funksional. Kur vjen në tavolinë, na thuhet po, por kur vjen në tavolinë nuk pasqyrohen ato.
Ne nuk kemi propozuar apo sugjeruar asgjë jo logjike, por vetëm gjëra logjike që e bëjnë ligjin funksional.
Edhe njëherë, duhet përshëndetur që në tavolinë ka ardhur ky 30%. Duhet saktësuar që kjo nuk duhet thënë si zbritje nga tatimi, por si një pagesë alternative, që biznesi të jetë i sigurt kur e bën këtë.
Të mos ketë mekanizma të cilët duhet ta komandojnë dhe ta kontrollojnë, por të vendosen kritere dhe të kontrollohet post-faktum, pasi ndodh. Kështu bëjmë në gjithë jetën tonë, kështu bëjmë edhe në biznes. Nuk na vjen neve askush të na thotë se si do ta bëjmë faturën e shitjes apo të blerjes, nuk na vjen askush të na thotë se si do ta bëjmë kontratën e bashkëpunimit, por pasi ndodh, jemi objekt i kontrollit. Nëse kemi bërë shkelje në biznes, padyshim paguajmë penalitete nga më të ndryshmet.
E njëjta gjë, pse duhet të jetë ndryshe? Pse duhet të mbajë dikush autorizimin se kush do të sponsorizojë dhe kush do të sponsorizohet? Duhen vendosur rregulla dhe kritere dhe i sponsorizuari apo të sponsorizuarit duhet t’i respektojnë ato rregulla.
Edhe tjetra, çdo gjë duhet përshëndetur, edhe 2 miliardëshi që është vendosur, sepse ka qenë zero. Por është një gjë absolutisht e pamjaftueshme. Është një gjë, nuk dua të them qesharake, por e papërfillshme. Çfarë do të bësh me 2 miliardë? Çfarë do të bësh nëse pretendon që do të bësh infrastrukturë? Thuaj një projekt, sepse ai 2 miliardëshi është për sport, kulturë dhe art. Nëse do të fillojmë t’i zbresim, çfarë do të mbetet? Çfarë vepre mund të bësh nëpërmjet atij ligji?
Duhet ta mendojmë pak më mirë. Nëse do të ishte minimalisht 10 miliardë, aq sa unë e kam thënë në atë editorialin tim, atëherë biznesi dhe sporti mund të bëjnë projekte madhore.
Ne jemi dëshmitarë të shumë projekteve që janë ideuar në Shqipëri dhe nuk janë përfunduar. Në këtë mënyrë do të jetë shumë më e lehtë për t’i përfunduar këto projekte.
Nuk themi që ligji i sponsorizimit… Ai 2 miliardëshi tani mendohet si një lloj mënyre zëvendësimi i buxhetit që duhet të kishte Ministria, sepse 2 miliardëshi plus buxhetin që ka Ministria e Sportit, që bëjnë afërsisht 28 milionë euro, është sa gjysma ose më pak se gjysma e buxhetit që ka Kosova.
– Dhe e ndarë në tri pjesë, siç u thatë. Nëse ligji miratohet me ndryshimet që kërkon FSHF-ja, do të marrin përfitime konkrete edhe klubet e vogla jashtë kryeqytetit?
– Këtu është qëllimi kryesor, sepse nuk duhet të mendojmë vetëm për klubet e kryeqytetit apo klubet e Abissnet Superiores. Në fund të fundit, ata kanë disa mundësi, kanë disa të ardhura nga të drejtat televizive, disa të ardhura nga biletat, minimale, por kanë mundësi riciklimi dhe rizhvillimi të futbollit.
Po akademitë e vogla? Po klubet periferike? Me çfarë do të bëjnë futboll? Buxhet jo, të ardhura jo. Atëherë duhet të ketë një mundësi se si duhet të luajë futboll një fëmijë në Ersekë.
– Lexova në gazetë se një fëmijë 14-vjeçar, para dy ditësh, ishte nga një fshat i Korçës dhe thoshte: “Ëndrra ime është të luaj futboll, por nuk kam mundësi transporti të shkoj në Korçë për stërvitje”. Çfarë përgjigjeje i keni dhënë, president?
– Padyshim që kam vënë njerëz ta kontaktojnë dhe ta çojnë në Korçë. Por pse kjo është zgjidhja, që do të merrem unë me një fëmijë? Ajo që unë duhet të zgjidh bashkë me shtetin shqiptar dhe bashkë me të gjithë kolegët e mi është që t’i krijojmë kushte atij fëmije që të bëjë stërvitjen në fshatin ku është.
– Me të gjitha këto për të cilat keni lobuar, çfarë mesazhi keni për të gjithë ata fëmijë, duke qenë se lindi kjo bisedë për të gjithë ata që kanë ëndrra? Çfarë premtoni ju si kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, në pritje edhe të datës 26 nëntor, që është aq shumë e rëndësishme me të gjitha projektet?
– Në të gjitha projektet që ne bëjmë dhe në të gjitha rezultatet e ekipit kombëtar, unë nuk e shoh thjesht si një kënaqësi të momentit të rezultatit të ekipit kombëtar në ato 90 minuta apo në atë pjesëmarrje në kampionatin europian, por e shoh si një shembull që duhet t’u japim këtyre fëmijëve që t’i bashkohen këtij futbolli.
Në rregull, se i japim shembull, por duhet t’u krijojmë edhe kushtet. Në projektet tona jemi munduar t’ua krijojmë këto kushte, por mundësitë e një federate janë të limituara. Ne nuk mund të presim që një federatë, qoftë edhe kjo e futbollit që konsiderohet relativisht e fortë financiarisht, t’i krijojë të gjitha.
Është detyrë e shtetit. Ata fëmijë janë taksapagues.
Ne kemi krijuar dhe jemi federatë unike me një projekt, “Uniforma Ime”, ku i japim falas çdo fëmije çdo lloj materiali sportiv që i duhet për futboll, përfshirë topin, uniformën dhe gjithçka tjetër.
Jemi munduar të ndërtojmë disa fusha futbolli, por ato janë të pamjaftueshme për aq sa duhet.
Kështu që, qoftë nëpërmjet ligjit të sponsorizimit, qoftë nëpërmjet buxhetit, qoftë edhe nëpërmjet projekteve që kemi marrë, shumë projekte ndërkombëtare për të investuar në sport, vetëm në 10 vitet e fundit investimet e projekteve ndërkombëtare në futbollin në Shqipëri janë mbi 100 milionë euro, por janë të pamjaftueshme.
Kështu që, çfarë duhet bërë më mirë? Besoj se me bazën sportive dhe materialet sportive ne kemi bërë më mirë se çdo vend tjetër i botës, edhe me infrastrukturën. Por ato që kemi bërë, i kemi bërë të mira, megjithatë duhet një numër shumë më i madh.v


