HomeKRYESOREMilani fitore me aromë Championsi, Roma bën detyrën me Crotonen

Milani fitore me aromë Championsi, Roma bën detyrën me Crotonen

Milani vuajti shumë përballë Chievos në “San Siro”, por në fund arriti të merrte një fitore të vyer 3-2, që e mban në garë për zonën Champions.

Kuqezinjtë e Montellas, që vinin pas eliminimit nga Arsenali në Europa League, gjetën golin e parë që në minutën e 10-të me Calhanoglu, por Chievo jo vetëm që arriti të barazonte me Stepinskin (33’), por vetëm një minutë më pas kaloi në epërsi me Inglesen.

Cutrone ktheu baraspeshën në të 54-ën, ndërsa Andre Silva shënoi golin e fitoren për Milanin 8 minuta para përfundimit të kohës së regullt.

Pasi iu referua teknologjisë VAR, kryesori akordoi 11-metërsh për Milanin në kohën shtesë, por Kessie u tregua i pasaktë përballë portierit Sorrentino.

Fitore e lehtë 0-2 e Romës në fushën e Crotones, me autorë të golave El Shaarawy dhe Nainggolan.

Fiorentina regjistroi fitoren e dytë radhazi pas vdekjes tragjike të Astorit. Skuadra vjollcë triumfoi 1-2 në fushën e Torinos me gola të Veretout dhe Thereau, ndërsa për vendasit barazoi përkohësisht rezultatin Belotti.

Duhet theksuar fakti që në pjesën e parë Veretout humbi një 11-metërsh për Fiorentinën.

Atalanta, ku aktivizohet Etrit Berisha, shkatërroi 0-5 Veronën, në një sfidë ku spikati me një tregolësh Ilicic (një gol e shënoi me penallti), ndërsa plotësuan listën e golashënuesve Cristante dhe Gomez.

Zhgënjeu në fushën e saj Benevento, që u mposht 1-2 nga Cagliari. 90 minuta në fushë qëndroi mbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti, ndërsa Memushaj ishte në stol dhe nuk u preferua as si zëvendësues nga trajneri i Beneventos.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments