Tirana bëhet gati për sfidën me Vllazn inë, por pesë futbollistë, veç Torasës dhe Lilës, nuk u stërvitën me grupin. Nga ana tjetër, trajneri Ardian Mema nuk ka pëlqyer shënjestrën e lojtarëve gjatë stërvitjes së djeshme, pasi vuri re se shumë nga futbollistët nuk e çonin dot topin në rrjetë. Nuk munguan as ulërimat dhe kritikat për të gjithë ata që gabonin para portës.
MUNGESAT
Si fillim skuadra bëri nxehmje, ndërsa Osmani, Hasani, Hoxhallari, Batha dhe Kale qëndruan veçmas. Ata bënë vetëm vrapime të lehta dhe më pas u larguan nga fusha. Një vendim i Memës, pasi lojtarët kanë qenë të ngarkuar dhe nuk mund të stërviteshin plotësisht, ndonëse kishin bërë 24 orë pushim. Me shumë mundësi, të pestë do të jenë titullarë në Shkodër. As Agustin Torasa nuk u stërvit, por vazhdoi përgatitjet në palestër, dhe Andi Lila.
VANGJELI
Prej dy ditësh me grupin është bashkuar edhe Kristi Vangjeli. Korçari, jo vetëm që ka nisur punën, por me sa u pa në fushën e lojës, ishte top. Gjendja e tij fizike binte në sy, ndërkohë që ai po projektohet edhe si titullar për sfidën me shkodranët. Problemi i Memës mbetet se ku do ta pozicionojë lojtarin e krahut të majtë. Nga ana tjetër, Vangjeli u pa dje të këshillohej me Ngonë për mënyrën se si sulmuesi duhet të futej në korridore për të dalë para portës.
ULËRIMAT E MEMËS
Një tjetër e veçantë e djeshme ishte fakti që Ardian Mema e ka pasur me të gjithë. Trajneri e ka ndarë ekipin në dy skuadra dhe u ka kërkuar të godasin portën me gjuajtje jashtë zone. Ushtrim ky që nuk ka kënaqur trajnerin. Ulërima pafund, kritika dhe ironi për futbollistë të veçantë. Mema ka kërkuar forcë, shpejtësi dhe saktësi në gjuajtje që shumë prej lojtarëve të Tiranës u ka munguar gjatë stërvitjes së djeshme.







