Abdurraman Fangaj ka lënë pas krahëve dëmtimin e rëndë që e la mbi një vit larg fushave dhe sot ndaj Flamurtarit ishte një prej lojtarëve më të mirë të Vllaznisë, duke qenë konstant në krahun e djathtë të mbrojtjes. Shkodrani pak nga pak me arritjen e formës do të jetë njëri prej shtyllave të mbrojtjes në ekipin shkodran.

Anësori 24-vjeçar, i dalë nga njëra prej akademive më të mira të futbollit shqiptar, Vllaznisë, këtë sezon në këmbët e tij, ka vetëm 5 ndeshje, ku 4 është aktivizuar si zëvëndësues, ndërsa ndaj Tiranës ka qenë titullar, teksa deri më tani ka marrë 116 minuta me kuqeblutë.

Deri më tani, ai ka qenë zëvëndësues i Gurishtës, teksa duhet thënë se Fangaj ka një konkurrencë të madhe në krahun e djathtë të mbrojtjes me kapitenin që ka treguar se është i domosdosshëm në lojën e skuadrës së tij.

Deri më tani, për të hapësirat kanë qenë shumë të pakta, por në vazhdim, në ato raste të caktuara që do t’i jepet mundësia e aktivizimit, ai padyshim që duhet ta shfrytëzojë për të treguar vlerat e tij dhe për të treguar se është sërish ai Fangaj që spikati për katër vjet tek Laçi, duke zhvilluar mbi 80 ndeshje për kurbinasit.
Maringlen Zhivani