Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj foli pas barazimit me Skëndërbeun. Ai u shpreh i kënaqur për mënyrën se si skuadra e tij u paraqit në fushën e lojës.

“Kemi nevojë që të gjejmë stabilitet, jam i lumtur për faktin që u kthye Sota dhe paraqitjen e repartit difensiv. Ndeshja kishte vetëm 3 raste, ne vazhdojmë sëmundjen tonë të vjetër që shpërdorojmë shumë. Jam i kënaqur me ekipin se nuk është e lehtë të zhvillosh ndeshje çdo tre dite, jam i kënaqur me të gjithë lojtarët.

Ka rëndësi pjesa e kualitetit, ka meritë dhe portieri i Skënderbeut, njëherë është vëmendja dhe njëherë agresiviteti. Kemi qenë të fokusuar dhe nëse kemi pasur oshilacione është tek pjesa difensive më përpara, por jam i lumtur si u paraqit mbrojtja dhe të dyja qendrat.

Lojtarët që u futën në fushën e lojës dhanë maksimumin dhe për mënyrën se si u luajt, me pak vëmendje dhe agresivitet më të madh mund të shkonim tek fitorja, vlejnë rastet e Arit dhe Da Silvës. Në aspektin e volumit të krijuar jam i kënaqur dhe besoj do dalim nga kjo gjendje dhe prandaj i mblodha çunat për t’i falenderuar.

Janë 5 barazime që ndikojnë, sot ndeshjen duhet ta fitonim ashtu siç erdhi. Ndeshja sot skishte histori thjesht duhet të kishim futur topin në rrjetë. Kristian nuk mund të luante me shumë se 45 minuta sepse smund ta rrezikojmë, ishim të detyruar të largonim bashkë me Carën” deklaroi Abilaliaj për “MCN TV”.