Dita e djeshme duhej të ishte vendimtare për çështjen e dënimit apo jo të ekipit grek të PAOK të futbollit të femrave, por UEFA në mënyrë të çuditshme ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për këtë çështje. Ankesa e ekipit të Vllaznia akoma nuk ka marrë përgjigje dhe kjo vë në dyshim ndonjë lëvizje që mund të jetë duke u bërë në institucionin e futbollit europian për të mos i penalizuar greket sepse nga kjo do të përfitonte kampionia e Shqipërisë.

Në emailin e mëposhtëm që përfaqësuesi i UEFAs-s i ka nisur drejtuesve të Vllaznisë më datë 17, thuhet shprehimisht se Trupa Disiplinore do të marrë vendim për këtë rast në mbledhjen e saj të ardhshme më 21 shtator 2017.

Pikërisht për këtë, dje në Shkodër kanë pritur me interes një vendim të tillë por çuditërisht nuk ka patur asnjë sinjal. Edhe në faqen zyrtare të Federatës Europiane të Futbollit nuk ka ndonjë informacion për këtë çështje. Diçka e habitshme në fakt sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me një kompeticion të rëndësishëm siç është Champions League ëomen dhe për më tepër bëhet fjalë edhe për një gabim të rëndë: aktivizimin në ndeshjet e saj të një lojtareje të pafederuar. Por duket se njerëzve pranë UEFA-s i djeg fakti se një dënim i mundshëm i PAOK do të kualifikonte Vllaznia për në turin e dytë të këtij kompeticioni. Kjo shtyrje e marrjes së vendimit sigurisht që “bie erë të keqe” por shpresojmë që të mos jetë vërtetë kështu.

© shkodrasport.com