Velipojakët e kanë kaluar pa problem ndeshjen e radhës në fushën e vet, duke munduar Gramozin me rezultatin e pastër 3-0. Dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën, janë epilogu i kësaj sfide, e cila përgjithsisht ka qenë mjaft korrekte për të dyja kampet. Pjesa e parë ka qenë e dominuar totalisht nga vendasit. Këtë e tregon shumë qartë kronika e 45 minutave të para, ku Ada, përveç dy golave të shënuar, i është afruar edhe në disa raste të tjera portës mike, por në fuqi kanë mbetur dy golat e shënuar përkatësisht në minutat 2 dhe 12 nga Perfati dhe Doçi. Pikërisht goli i parë ka ardhur nga një aksion I shpejtë i velipojakëve dhe krosi në zonë është shfrytëzuar mjaft mirë nga Perfati, që brenda zonës, nuk fal me kokë dhe 1-0. Rasti tjetër, i radhës, do të sillte dhe golin e dytë me autor Edmond Doçin, që gjuan fort në hyrje të zonës, 2-0. Por në minutën e 19-të është Puka që humbet një tjetër mundësi shënimi për vendasit, por gjuajtja e tij brenda zonës, është pritur nga portieri Bello. Gamozi për pjesën e parë nuk do të shkonte asnjëherë në portën e Dervishajt, ndërsa Ada do të rrezikonte edhe në minutën e 41-të me kapitenin E.Nika, por pret përsëri portieri mik. Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën “melodi” ada që sulmon në drejtim të shënimit të golit të tretë dhe Gramozi që mbrohet. Në të 46-ën është E.Nika që shënjestron përsëri portën e miqve dhe Bello pret siç duhet. Një minutë më vonë është Pllumbaj që gjuan dhe protagonist është përsëri portieri i Gramozit, që dje ishte në një ditë shumë të mirë. Duhej të vinte minuta e 48-të që Gramozi të shfaqej para portës së Adës, por goditja e Ahmatajt kalon ngjitur me shtyllën pingule dhe jashtë. Në të 75-ën do të vinte goli i tretë për velipojakët me autor Pukën, pas një goditje me kokë, 3-0. Me këtë fitore, Ada është pozicionuar në mesin e tabelës së renditjes.

www.shkodrasport.com