Ada e Velipojës ka pësuar një tjetër humbje ditën e sotme me rezultatin 1-3 në ndeshjen e javës së nëntë të kampionatit, atë që ka luajtur ndaj Sopotit në fushën sportive në Velipojë.

Ndeshja ka qenë e një niveli të dobët, por me Adën që ka luajtur disi më mirë se takimet tjera. Kështu, në këtë mënyrë edhe trajneri i sapoardhur Florian Lala debuton me humbje në krye të velipojakëve.

Sa i takon ndeshjes, pjesa e parë u mbyll në favor të Sopotit në shifrat 0-2, me miqtë që u treguan të saktë në finalizimet e rasteve përpara porte. Edhe Ada nuk qëndroi pasive dhe krijoi rastet e saj, por nuk ia arriti dot qëllimit të ngushtojë diferencën në pjesën e parë.

Ndërkohë në pjesën e dytë, Sopoti thellon rezultatin falë një autogoli të Mballanit, duke bërë që shifrat të shkojnë në 0-3. Në fund, Ada arriti të shënojë golin e nderit me anë të futbollistit Laçeja me penallti dhe rezultati shkoi në 1-3, por që në fund vlen vetëm për statistikë. Ndeshja nuk do të kishte më histori dhe gjithçka u mbyll me rezultatin 1-3 në favor të Sopotit.

Nga sa është parë në këtë takim, tek Ada ra në sy dobësia në repartin e mbrojtjes, ç’ka solli edhe pësimin e tre golave dhe një gjë e tillë tregon se tek Ada ka ende vend për të përmirësuar nga ana e trajnerit të ri Florian Lala. Pas kësaj humbjeje, velipojakët renditen sërish në vend të fundit në kuotën e vetëm një pike, ndërsa ndeshjen e rradhës do ta luajnë ndaj Valbonës në Tropojë. /Maringlen ZHIVANI/

Ada-Sopoti 1-3

Goli për Adën: Laçeja (pen) 90’

Formacioni i Adës: Marku, Trashani, Hurmi, Curri, Qeleshi, Narkaj, Frroku, Pjollaj, Teixeira, Mballani, Laçeja (u aktivizuan: Mhillaj, Kaçoli) Tr: Florian Lala