Admir Mehja, futbollist i Panthers, por edhe trajner i akademisë Shpresa ka qenë i ftuar së fundmi në studion sportive të Star Plus. Ai ka folur për ecurinë e Vllaznisë, që sipas tij ka qenë disi me hope.

Por ka besimin se kuqeblutë do reagojnë këtë javë në ndeshjet shtëpiake kundër Kukësit e Tiranës. E po ashtu Mehja në fjalët e tij pret edhe zhbllokimin e Balajt, aë do ishte bonus i madh për ekipin.

Mehja u shpreh duke thënë: “Skuadra nuk ka bërë aq keq sa duket. Kaloi turin në kupë së fundmi, ndoshta pa shkëlqim. Por besoj se kjo ishte çështje motivimi sepse kishin fituar në ndeshjen e parë në shifrat 0-2 dhe nuk e kishin atë ego edhe në takimin e kthimit.

Në kampionat ka pasur disi luhatje, por duhet thënë se ky kampionat është i fortë. Askush nuk të fal asgjë dhe ekipet janë aty aty. Është pozitiv edhe fakti që nuk ka një ekip të “rënë”, siç ndodhte në vitet e shkuara ku prishej edhe gara. Prandaj besoj se edhe Vllaznia ndoshta ka vuajtur njësoj si skuadrat e tjera, përjashti ndoshta Tiranën që me cinizëm ia del të mbajë një ritëm.

Unë kam besimin se kjo javë do jetë vendimtare për Vllazninë. Sepse do jenë dy ndeshje shtëpiake kundër Kukësit sot dhe Tiranës të dielën. Ekipi duhet të reagojë në këto takime dhe të tregojë ambiciet që ka për kampionatin.

Po ashtu po pres zhbllokimin e Balajt, pasi do ishte një bonus i madh për skuadrën. Jam i sigurtë që nëse do shënojë, do i rreshtojë më pas golat. Kam një ndjenjë që sot ndaj Kukësit, Balaj do gjejë rrjetën”.
Endri ÇINARI