Tjetër shkëlqim për atletët e Vllaznisë. Ato kanë siguruar dy medalje për kombëtaren shqiptare në garat e “Game of the Small States of Europe”. Franko Burraj ka treguar dominimin e tij sërish në garën e 400 metrave duke zënë vendin e parë dhe duke merituar medaljen e artë të këtij aktiviteti, ndërsa Muhamet Çangeli është renditur i dyti në garën e kërcimit së gjati duke merituar medaljen e argjendtë.
Garat janë zhvilluar ditën e sotme në Monako dhe kanë treguar një formë të mirë të këtyre dy sportistëve. Burraj në 400 metra ka arritur kohën 46″45, më të shpejtën nga të gjithë rivalët e tij dhe si rrjedhojë është renditur i pari.
Ndërsa Çangeli në kërcim së gjati ka arritur distancën 7.45 metra duke u renditur i dyti. Këto suksese natyrisht që shkojnë edhe për dy trajnerët e këtyre sportistëve, Bruno Rrotani dhe Dorjan Tafa.
Atletët shkodranë tregojnë edhe njëherë klasin e tyre duke i dhënë Shqipërisë dy prej tre medaljeve që ajo ka fituar në këtë aktivitet ( e treta i takon atletes Relaksa Dauti që ka marrë medalje bronzi në 5000 metra).
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


