Partizani, në merkaton e verës u fut kokë e këmbë në merkato dhe e mbylli këtë dritare transferimesh me plot 11 lojtarë të afruar. Gjithsesi, ashtu siç pritej, jo të gjithë janë shndërruar në faktorë kyç për lojën e “demave”, madje mund të themi se Kolela është përqendruar kryesisht në boshtin e vjetshëm për të nisur këtë sezon të Superiores.

BOSHTI I VJETSHËM – Në portë ka risi, sepse Rexhepi ka ulur në stol kapitenin Hoxha. Në mbrojtje pritej të kishin ndryshime, por Partizani e zgjidhi brenda familjes largimin e Belicës dhe të Albion Markut. Në vend të shqiptarit nga Struga po luan Sota dhe po bën shumë mirë, ndërsa për të zëvendësuar Markun është marrë Buxhelaj nga ekipi i dytë dhe po luan me dinjitet. Gjithsesi, duhet të themi se talenti nga Vlora po alternohet edhe me Atanaskoskin, një nga afrimet e verës.

Në mesfushë Rrapaj dhe Matondo janë të palëvizshëm, teksa mjaft avantazh ka marrë edhe Murataj falë energjisë së tij, të tre lojtarë të sezonit të shkuar. I vetmi ndryshim 100% është lojtari para sulmuesve, ku po luajnë Hoti dhe Da Silva, me brazilianin, që mbulon edhe të majtën e sulmit. Ndërkohë, Skuka dhe Cara janë preferuar më shumë se të tjerët për ofensivë. Pra, Rexhepi, Hoti dhe Da Silva janë risitë në këtë start në 11-shen e Partizanit. Një pjesë e afrimeve janë aktivizuar nga stoli, duke mbetur në kuadrin e alternativave.

MINUTAT – Lojtarët e vetëm, që nuk kanë debutuar ende në Superiore me Partizanin, janë Marçelino Preka dhe Endri Çelaj. Ish-mbrojtësi i Bylisit po vuan një dëmtim të lehtë muskulor. Gjithë të tjerët kanë debutuar. Afrimi më i aktivizuar dhe i vetmi që ka luajtur ndeshje të plota është Rexhepi. Gardianin e ndjek Da Silva e Telushi, teksa më pas vijnë të tjerët me radhë.

DËMTIMET – Preka nuk është i vetmi, të cilin dëmtimet e kanë penguar të luajë për sa u përket afrimeve. Cvetanoski, Mensah, Hoti dhe Romero janë detyruar gjithashtu të ndalojnë prej problemeve fizike.

AKTIVIZIMI I AFRIMEVE

EMRI NDESHJE MINUTA

B.REXHEPI 4 360

D.ATANASKOSKI 4 169

J.MENISH 1 90

M.PREKA 0 0

M.CVETANOSKI 1 23

E.HOTI 2 151

A.ROMERO 2 71

B.TELUSHI 4 190

E.ÇELAJ 0 0

V.DA SILVA 4 271

A.MENSAH 1 44