Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon me planin e saj për të afruar ish-futbollistët e njohur duke u dhënë vende pune e në këtë mënyrë, duke siguruar mbështetjen e tyre publike… ose të paktën heshtjen. Kështu, serisë së gjatë të atyre që janë bërë trajnerë në kombëtare rajonale apo janë punësuar si specialistë pranë FSHF-së, i është shtuar edhe një legjendë e Tiranës, Agustin Kola.

Ky i fundit, tashmë do të jetë trajner i një përfaqësueseje, asaj të U17 të femrave, edhe pse në fakt nuk ka drejtuar asnjëherë në futbollin e femrave, por me ekipe në Superiore apo në akademitë e Tiranës.

Me emërimin e ri, Kola do të ketë për detyrë të bëjë nga e para një përfaqësuese e cila u krijua vitin e kaluar vetëm për të marrë fonde nga UEFA, u sajua për dy javë e si rrjedhojë përfundoi duke u turpëruar me një humbje historike 14-0 në turne zyrtar.

Ashtu siç ka bërë me figura të tjera të shquara të futbollit shqiptar si Edmond Gëzdari apo Sulejman Mema gjatë vitit të fundit, FSHF nuk ka bërë asnjë lajmërim zyrtar për emërimin e Agustin Kolës duke e kaluar plotësisht në heshtje punësimin e tij në strukturat e saj. /vipsport/