Agustin Kola një nga legjendat e klubit të Tiranës, mendon se bardheblutë edhe në këtë sezon do të konkurrojnë për titullin, madje ish-futbollisti e sheh ekipin aktual më të fortë se ai i sezonit të kaluar.

Në një intervistë për “News 24”, ndër të tjera, Kola shprehet se futbollistët në kohën e tij ishin më profesionistë duke qenë se stërviteshin më shumë.

Atëherë ka qenë një sistem tjetër. E kam thënë dhe e them: Ne atëherë ishim profesionistë. Flinim në klub, stërviteshim 2 herë në ditë me mbi 2 orë. Kurse në futbollin shqiptar sot, në Kategorinë Superiore stërviten një herë në ditë nga dy orë.

Nuk kemi arritur akoma te profesionalizmi i atëhershëm. Kurse këto sot… Ju e shihni botën, dhe po të shkosh në Itali, ekipet elitare atje bëjnë nga 5 orë stërvitje në ditë. Bëjnë dy orë e gjysmë në mëngjes dhe dy orë të tjera pasdite.

Prandaj them që akoma nuk janë futur në frymën e profesionalizmit në futbollin tonë, ka probleme shumë. Ishalla me fitore!