Granit Xhaka ishte shumë pranë largimit nga Arsenali në vitin 2019, pasi marrëdhënia me tifozët preku fundit. Në një intervistë për BeIN Sport mesfushori theksoi se ishte pikërisht trajneri Mikel Arteta që e bindi të qëndronte në Londër.

“Ishte një djalë që më mbajti, ai quhet Mikel Arteta. Gjithmonë do ta mbështes, nuk ka rëndësi se çfarë do të ndodhë. Pa të, jam 100 për qind i sigurt se nuk do të isha më në klub.

Ai e di këtë, kam një marrëdhënie shumë të mirë dhe të sinqertë me të. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh në fushë, kurrë nuk do të jem kundër tij apo të them diçka kundër tij.

Ai meriton respektin tim, por edhe respektin nga familja ime. Unë do të kisha ikur. Nuk doja ta vishja më fanellën e Arsenalit. Jam shumë krenar për veten që e vesh sërish fanellën me shumë respekt dhe dashuri, shpresoj se mund ta mbyllim këtë sezon me një trofe të madh”, u shpreh ai.