Dënimet e Komisionit të Disiplinës ndaj skuadës së Shënkollit për ngjarjet e ndeshjes së kësaj skuadre me Devollin, kanë tensionuar situatën në radhët e klubit. Vetë trajneri Anteu Pepaj, në një reagim për VIP Sport e ka cilësuar këtë një veprim të qëllimshëm nga organi disiplinor në fjalë për të mbështetur mbjetesën e Elbasanit në këtë kategori, duke prishur garën e ndershme.

Sipas tij, asgjë nuk justifikon dorën e rëndë mbi Shënkollin, që është dënuar me zhvillimin e 6 ndeshjeve në fushë asnjëanëse përtej pezullimeve afatgjata të lojtarëve e zyrtarëve. Ndërkohë, ai paralajamëron se mund të ketë tërheqje nga gara për skuadrën e tij nëse nuk kthehet normaliteti në javët në vijim duke filluar nga zhvillimi i ndeshjes së prapambetur që ka Elbasani, rivali direkt në zonën e rënies nga kategoria.

“Jemi të ndërgjegjshëm që çdo gjë po bëhet për të shpëtuar ekipin e Elbasanit, por të merren masa të tilla më duken shumë absurd. Vërtetë jemi skuadër e re por mendoj që në kampionat trajtohen të gjitha ekipet njësoj, si ne, si Elbasani.

Vendimet e arbitrit Bastari si duket kanë gjetur mbështetje nga lart për të dhënë dënime të tilla. Mund të flitni me drejtuesit e Devollit nëse ka pasur dhunë të tillë që të ndërmerren masa të tilla.

Dua ta theksoj, një shkelje tjetër që prish garën e Kategorisë së Parë është ndeshja e prapambetur Oriku-Elbasani. Si mund të kemi garë të ndershme në fazën play-off po të mos luhet kjo ndeshje. Ne si klub do të tërhiqemi nga gara nëse kjo ndeshje nuk luhet”, ishin fjalët e trajnerit Pepaj. /vipsport/