Thomas Strakosha tashmë mund të quhet me plot gojë një nga portierët më të vlerësuar në kontinentin tonë, e pse jo, në të gjithë botën. Gardiani kuqezi po tregon vlerat e tij me Lacion dhe ka tërhequr vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë të cilët pak nga pak po rishikojnë edhe vlerësimet për lojtarin duke i rritur ato.

Observatori i Futbollit Europian (CIES), në përditësimin e fundit që ka bërë sa u përket vlerave të lojtarëve në kontinent, duke marrë për bazë 5 kampionatet kryesore në Europë (Itali, Gjermani, Angli, Spanjë dhe Francë), rendit Strakoshën mes elitës sa i përket përllogaritjes së vlerës së kartonit të tij.

Renditjet bëhen fduke marrë për bazë formën, numrin e ndeshjeve të zhvilluara, moshën si dhe vlerën që mund të ketë marketingu i imazhit të lojtarit në fjalë.

Strakosha është tashmë me 23 milionë euro portieri i 16 në listën e përpiluar nga CIES ku padyshim gjenden emrat më të njohur në kontinent. Fakti që kalon në vlerë një legjendë si Manuel Nojer, tregon më mirë se sa besim ka për të ardhmen e portierit shqiptar, i ciii mund të bëjë shumë hapa para në këtë renditje nëse vijon me formën që ka shfaqur deri tani, duke marrë në konsideratë edhe moshën e re që ka.

Lista e portierëve kryesohet nga brazilianët Ederson dhe Allison, të ndjekur nga spanjolli Kepa, i cili plotëson podiumin në këtë klasifikim. /vipsport/