Pas tre vitesh në krye të saj, Alban Xhaferi nuk do të jetë më president i shoqatës së basketbollit Vllaznia. Biznesmeni i njohur përmes një letre, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga pozicioni i presidentit të kësaj shoqete, por edhe si anëtar i saj.

Xhaferi përveçse ka njoftuar anëtarët e tjerë të shoqatës për këtë akt, ka vënë në dijeni edhe Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Basketbollit. Nga sa mësohet, në letrën e dorëheqjes së tij, Xhaferi ka thënë se arsyet e dorëheqjes janë angazhimet e tij personale si dhe ato në fushën e biznesit, që ia bëjnë të pamundur përmbushjen e detyrave të tij si president dhe anëtar i shoqatës së basketbollit Vllaznia.

Dorëheqja e Alban Xhaferit nga këto pozicione është e parevokushme dhe ajo që mbetet tashmë është dilema se çfarë do të ndodhë me basketbollin shkodran. Për momentin, ekipi pas largimit edhe të Ervin Berdicës, është pa trajner, ndërkohë që janë larguar edhe të gjithë basketbollistët e huaj.

Kontigjenti i lojtarëve shkodranë është shumë i reduktuar dhe kjo e bën edhe më të vështirë ecurinë e këtij ekipi që tashmë rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.

Por përpos kësaj, largimi i Xhaferit do të krijojë edhe një problem në mënyrën e administrimit të shoqatës sepse duhen bërë ndryshimet përkatëse në Gjykatë, procedurë e cila mund të zgjasë dhe kjo do të bllokonte edhe në lëvrimin e fondeve të Bashkisë për këtë shoqatë./SHKODRA-SPORT.COM/