Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi ka treguar planin e tij për merkaton e janarit tek Vllaznia. Në një intervistë për “RTSH Shkodra”, ai ka treguar strategjinë që kuqeblutë do të ndjekin në merkato.

Kështu ndër të tjera, Xhaferi shprehet se te Vllaznia në merkaton e janarit do të ketë afrime dhe largime, ndërsa theksoi se ai personalisht nuk është optimist për këtë periudhë merkatoje, duke marrë në konsideratë mundësitë e kufizuara që janë.

“Në merkato mund të ketë afrime dhe largime. Kjo është pjesë e proçesit, por në merkaton e janarit, unë nuk është se jam shumë optimist, sepse dihet që mundësitë janë të kufizuara të kësaj merkatoje.

Ne do mundohemi të bëjmë një merkato sa më të zgjuar, qoftë me largimet, qoftë edhe me afrimet, duke pasur parasysh se ky ekip është i konsoliduar në shumë pozicione dhe ne kemi pasur dy faza përgatitore si asnjëherë më parë, një fazë në Austri rreth dy-javore dhe një fazë së fundmi në Ulqin.

Kështu që, trajneri Josa dhe stafi teknik ka pasur kohën e mjaftueshme për të punuar me këto futbollistë për të konsoliduar ekipin. Unë mendoj se ne duhet të ecim gjithmonë duke ruajtur fuqishëm atë bazën që kemi dhe të afrojmë një ose dy futbollistë maksimumi”,-tha gjatë prononcimit të tij, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI