Ky fundvit do të jetë ndryshe për të gjithë Brazilin, të cilët do të mbajnë zi për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit, Pele.

Më 2 janar, pritet të zhvillohen nderimet për Pelen, trupi i të cilit do të vendoset në stadiumin e Santos, Vila Belmiro, ku qytetarët do të kenë mundësinë që t’i japin lamtumirën e fundit legjendës së futbollit.

Arkivoli me trupin e Peles do të qëndrojë për 24 orë në stadium, ku më pas do të zhvendoset drejt banesës së fundit.

Sipas mediave të huaja, trupi do të përshkrojë rrugën e shtëpisë ku jeton nëna e Peles, e më pas do të zhvendoset drejt një godine ku do të prehet i qetë pranë anëtarëve të tjerë të familjes së tij.

Godina 14-katëshe e quajtur Memorial Necropole Ecumenica është një varrezë e madhe. Pavarësisht se atje prehen të vdekurit, ajo nuk i ngjan aspak varrezave normale.

Brenda godinës ka ujëvara e kopshte të shumtë me bimë ekzotike. Në tarracën e godinës është edhe një kafene, ndërsa pjesa më e çuditshme është një muze i madh për makina.

Kjo godinë është ideuar në vitin 1983 nga arkitekti Pepe Altstut, dhe shërben edhe si atraksion turistik.