Garën e parë të çiklizmit do e fitonte në moshën pesë vjeçare, atëherë kur ëndrra e tij për t’u bërë një sportist as që merrej me mend nga ndokush. Fjala është për djaloshin e talentuar shkodran, Mateo Balaj.
Ai do të rregjistrohej për herë të parë me ekipin e Vllaznisë, me trajner Leonat Kola, në moshën 15-vjeçare. Sukseset e para ishin të shpejta, teksa pas një pune të gjatë dhe të lodhshme, arriti disa herë në garat kombëtare të renditej në vendin e parë dhe të dytë në “Kadet” dhe “Junior”.
Tradita që gjeti në ekipin e Vllaznisë në çiklizëm, por edhe talentet e vazhdueshme në përbërjen e ekipit, ndikuan në formimin e tij si sportist, pavarësisht problemeve financiare që e kanë shoqëruar vazhdimisht skuadrën.
Ndërkohë, gjatë këtij viti që po lëmë pas, Mateo Balaj ka arritur të shpallet kampion kombëtar në disiplinën e rezistencës. Padyshim që, ai konsiderohet e ardhmja e çiklizmit shkodran dhe shqiptar. Për këto arritje, por jo vetëm, gazeta “Shkodra Sport” vendosi ta nderojë me çmimin “Talenti i vitit 2022” çiklistin Mateo Balaj.
Së fundmi, në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, vetë Balaj u shpreh se është ndjerë shumë i vlerësuar nga ky çmim i fituar prej tij, ndërsa theksoi se është privilegj i madh të zgjedhesh mes talenteve më të mira të Shkodrës. Intervistën e Mateo Balajt me gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani, mund ta ndiqni më poshtë.
-Jeni vlerësuar nga “Shkodra Sport” si “Talenti i vitit 2022”. Çfarë ndjesie përjetuat në atë ceremoni?
Jam ndjerë shumë i vlerësuar. Shkodra nxjerr mjaft talente dhe të përzgjidhesh mes tyre është privilegj.
-Mateo, duke qenë se jemi në periudhë fundviti, a keni bërë një bilanc të arritjeve tuaja gjatë këtyre 365-ditëve?
Viti 2022 ka qenë një vit i sakrificave dhe përpjekjeve të mëdha. Një regjim i fortë sportiv për të kapur nivelet e çiklizmit në Itali, ku edhe për këtë sezon pata mundësinë të isha pjesë e ekipit të mirënjohur italian, SCAP. Gjithashtu, garat e rëndësishme në Shqipëri ishin një tjetër sfidë për mua.
-Cili është urimi juaj për këto festa të fundvitit?
Do dëshiroja vëmendje më të madhe për çiklizmin në Shkodër, për të cilin investohet jashtëzakonisht pak. Ky është vendi i kampionëve të Shqipërisë, por është e dhimbshme të shohësh shokët e mi të talentuar të largohen jashtë vendit për një të ardhme më të mirë.
-Cilat janë objektivat dhe synimet tuaja për vitin 2023?
Jam drejt përfundimit të lidhjes zyrtare të kontratës me një ekip tjetër italian U-23 për sezonin e ri 2023. Për vendin tim do vijoj të jap kontributin në garat kombëtare ose ndërkombëtare, gjithnjë në varësi të rezultateve të arritura. Uroj që vëmendja e qeverisë shqiptare, por edhe e biznesit, të jetë më e madhe ndaj këtij sporti burrëror dhe mjaft të bukur.
Maringlen ZHIVANI