Janë zhvilluar dje në Tiranë kampionatet kombëtare të atletikës për moshat 13 dhe 16 vjeç. Në këto gara është vërejtur një pjesmarrje e madhe sportistësh nga shumë ekipe të vendit. Ndër to kuptohet që ishte edhe Vllaznia e cila e ka thënë fjalën e saj me disa rezultate të mira të arritura nga atletët e saj. Kështu në garat e 13 vjeçarëve, pikërisht në garën e kërcimit së gjati, Gledis Haxhia ka zënë vendin e parë teksa ka kërcyer 3.93 m. Edhe si ekip Vllaznia ka zënë vend të parë në stafetën 4×50 me me kohën 33″09. Rezultate më të mira në garat e 16 vjeçarëve ku Mejvis Zaganjori ka zënë vendin e parë në 100 m/p me kohën 15″22. Po ky sportist do të zinte vendin e parë edhe në garën e 100 m me kohën 12″15. Në 1000 m një tjetër sportist i Vllaznisë është renditur i pari- Eqerem Ruçi me kohën 2’57″00. I pari është renditur edhe Muhamet Çengeli në garën e kërcimit së gjati me 5.70 m. Edhe në garat e femrave, Juriana Sadiku ka zënë vend të parë në garën e 50 m/p me kohën 8″80 ndërkohë që edhe si ekip Vllaznia ka zënë vend të parë në stafetën 4×100 m me kohën 1″20″72. Paraqitja e atletëve shkodranë mund të konsiderohet e mirë megjithatë në asnjë kategori Vllaznia nuk ka zënë vend të parë në renditjen ekipore teksa fitues janë shpallur tre herë Laçi dhe njëherë Skënderbeu.

© shkodrasport.com