Gardiani i portës sh kodrane, Alen Sherri, duket tejet optimist për paraqitjen që pritet të bëjë ekipi i Vllaznisë në sezonin e ri. Për më tepër, në një intervistë për “Panorama Sport” ai vlerëson edhe punën që po bëhet në mënyrë që skuadra të paraqesë një fytyrë tjetër në këtë sezon.

Në aspektin personal, Sherri e shikon si vitin që do të përballet me të vërtetën dhe beson se do të arrijë të tregojë vlerat e tij më të mira. Nga ana tjetër, afrimi i një tjetër portieri, të cilin e ka theksuar edhe vetë tekniku Jonuz, nuk e ka trembur aspak Sherrin.

Vllaznia ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Si ju duket gjendja e ekipit deri tani?

Mund të them se në skuadër mbizotëron një atmosferë tejet optimiste dhe pozitive. Tekniku Jonuz me të vërtetë ka rritur ngarkesën, por kjo punë duket se po na vlen të gjithëve për mirë. Shpresojmë që këtë që po bëjmë në stërvitje, ta realizojmë në fushë edhe gjatë sezonit.

Shumë afrime, madje është folur edhe për një të tillë në portë. Si e shikoni ju këtë?

Nuk mendoj se është shqetësuese për çdo lojtar apo as për mua konkurrenca që do të kem në skuadër. Sipas meje, kjo do ta çojë përpara çdo sportist. Në skuadër duhen me doemos tre portierë dhe ne jemi vetëm dy, prandaj është e natyrshme që tekniku thotë se do të vijë edhe një tjetër në këtë rol. Për më tepër, konkurrenca na motivon që të punojmë më shumë.

Në Kategorinë e Parë pësuat shumë pak gola dhe thatë se treguesi do të jetë mbrojtja e portës në Superiore. Mendoni se do të jetë viti juaj?

Unë e theksoj edhe një herë se do të bëj maksimumin tim që të mbroj portën e Vllaznisë në Kategorinë Superiore. Do të kërkoj që të tregoj vlerat e mia më të mira. Shpresoj që ky të jetë viti im me Vllazninë. Konkurrenca nuk më ka trembur dhe nuk do të më trembë as tani. Unë do të punoj fort për të arritur më të mirën.

Dua të falënderoj trajnerin tim, Ideal Lekiqin, për punën që bën. Me të në krye jemi duke punuar maksimalisht, në mënyrë që të japim maksimumin tonë në këtë sezon dhe të arrijmë më të mirën. Shpresoj se edhe me ndihmën e trajnerëve e të gjithë ekipit do të bëjmë të mundur që të jetë një vit i suksesshëm për ne si ekip dhe për mua personalisht.

Vllaznia mund të vuajë sërish për mbijetesë apo do të jetë një ndër ekipet që nuk do ta diskutojë këtë objektiv? Si e shihni ekipin?

Unë shpresoj dhe besoj se me punën që po bëhet, Vllaznia të mos vuajë sërish për mbijetesë. Grupi sa vjen e po forcohet dhe me afrimet që mund të bëhen deri në fund të merkatos, mund të jetë edhe më shumë kompetitiv. Po stërvitemi fort dhe kjo na bën që të besojmë se edhe frytet e punës nuk do të na mungojnë. Unë besoj se do të jemi konkurrues në këtë sezon. Nuk do të jemi një nga ekipet që do të vuajnë për mbijetesë.
Admir URUÇI