Pak ditë më parë është ndarë nga jeta në moshën 83 vjeçare ish-basketbollisti i Vllaznisë Ali Quku. Pjesë e një brezi të shquar të basketbollit shkodran bashkë me Esat Haxhin, Qemal Tafilicën, Muhamet Sokolin, Luan Shatkun, Vehbi Ademi, Sander Laca, Burhan Ademi apo dhe më vonë me Zyhdi Çobën etj. Pjesë e këtij brezi, ka arritur të shpallet fitues i Kupës së Republikës në vitin 1957 dhe 1958 duke treguar vlerat e një sportisti cilësor. Vërtetë Vllaznia në ato vite nuk arriti dot të shpallej asnjëherë kampione, megjithatë ishte ndër ekipet më të mira të vendit. Jo më kot, ky brez sportistësh ka marrë pas edhe shumë vlerësime pozitive nga sportdashësit që i kanë ndjekur kudo pas duke i mbështetur. Figurën e Ali Qukut e kanë vlerësuar edhe kolegët e tij sportistë.”Ali Quku ka qenë një nga sportistët fort të mirë që ka patur Vllaznia në ato vite në basketboll. Ai është inkuadruar në ekipin tonë që në fundin e vitit 1954 dhe ka luajtur për shumë vite me rradhë  duke dhënë kontributin e tij në arritjen e disa sukseseve, kryesisht në fitimin e Kupave të Republikës. Unë më pas kur kalova si trajner, e kam patur edhe si sportist dhe ai është dalluar për talentin dhe përkushtimin që shfaqte në stërvitje”- është shprehur Muhamet Sokoli, një tjetër veteran i basketbollit shkodran. Ndërkohë mjekur i njohur Zyhdi Çoba që në rininë e tij është marrë me basketboll, ka kujtime të bukura edhe për Ali Qukun kur thotë: “I përkas një brezi më të ri sportistësh të cilët u bashkuam me ekipin e parë dhe aty gjetëm ngrohtësinë e basketbollistëve me emër, një ndër ta ishte edhe Ali Quku, të cilët na mbështetën dhe ndihmuan dhe përshtypjet e asaj kohe nuk shlyhen kollaj”. Vlerësimet për këtë figurë sportive nuk e përfshijnë atë vetëm tek sporti i basketbollit pasi bilardoja për të ka qenë një pasion i madh. Njëkohësisht të gjithë e mbajnë mend edhe si arsimtar shumë i përkushtuar për t’i dhënë dije nxënësve të tij.

Gjergj KOLA