Skuadra e tij u mund sot 0-3 nga Vllaznia megjithatë Alket Kruja nuk u duk shumë i mërzitur pas ndeshjes sepse e ka të qartë se diferencat në mes dy skuadrave janë të mëdha. Duke folur për mediat pas ndeshjes ish- futbollisti i Vllaznisë vite më parë, ai është shprehur:

“Humbja ndaj Vllaznisë them se është e pranueshme, nuk është turp të të mundë ajo. Vllaznia është Vllazni, pavarësisht se është në ditët më të vështira të vetat. Në këtë ndeshje kishim një mundësi për të shënuar, nuk e shfrytëzuam ndërkohë që më pas vllaznia na mundi me tre gabime tonat.

Ky është futbolli, ai që gabon më pak, del fitimtar. Unë i uroj suksese ekipit shkodran edhe si një ish-lojtar i tij vite më parë. Më vjen shumë keq për gjendjen aktuale të Vllaznia, asaj i takon t’i japë tonin futbollit shqiptar dhe prandaj shpresoj të kthehet sa më parë në Superligë se aty e ka vendin”.

Ndërkohë duke folur për ecurinë e mëtejshme të Shënkollit, Kruja shton: Ne nuk kemi rival Vllaznin por ekipet e tjera. Besoj se tashmë nis kampionati për ne dhe do të synojmë të mos bëjmë hap të gabuar se gjendja aktuale ku jemi nuk duron.

Qysh në ndeshjen e rradhës me Erzenin besoj se do të marrim trepikëshin dhe pastaj do të synojmë fitoren edhe me Veleçikun për të dalë nga momenti ku ndodhemi aktualisht”.
© shkodrasport.com