Humbja ndaj Kukësit pasditen e së mërkurës padyshim që nuk ka lënë një shije të mirë tek tifozët shkodranë, por edhe tek futbollistët dhe stafi teknik i Vllaznisë. Të gjithë janë të mendimit se skuadra kuqeblu ka bërë një ndeshje të mirë dhe mbase meritonte diçka më shumë por tashmë çdo gjë ka përfunduar dhe duhet vijuar puna për më tej.

Ekipi nuk ka kohë për të marrë frymë dhe menjëherë ka dalë në stërvitje nga dita e enjte sepse nuk ka kohë për të humbur. Siç dihet, ditën e dielë do të luajë ndeshjen e rradhës, atë ndaj Partizanit, pikërisht në orën 16.00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Diçka pozitive për këtë ndeshje, është fakti që Vllaznia me përjashtim të Hygor dhe Emerson do të jetë e plotë në organikën e saj ngaqë nuk ka asnjë lojtar tjetër të dëmtuar apo me kartona, ndërkohë që në kampin kundërshtar dihet që nuk do të jenë të gjithë të gatshëm për shkak të kartonave të kuq që kanë marrë në ndeshjen e djeshme ndaj Teutës.

Objektivi i Vllaznisë për këtë ndeshje padyshim që do të jetë marrja e një rezultati pozitiv, ndonëse në pamje të parë duket diçka e vështirë.

Të kuqtë në fakt nuk po kalojnë një moment të mirë sepse i kanë humbur të tre ndeshjet e fundit dhe po ashtu janë pa trajner dhe shkodranët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment jo të mirë të tyre, paçka se Partizani do të tentojë të fitojë me çdo kusht për të mos u zhytur në krizë rezultatesh.

Tek Vllaznia duan patjetër ta mbyllin këtë vit me një rezultat pozitiv dhe prandaj do të tentojnë të mos kthehen pa pikë nga Tirana, për më tepër që në ndeshjet jashtë kanë luajtur më mirë dhe kanë marrë edhe më shumë rezultate.
www.shkodrasport.com