Në gjysmën e dytë të viteve ’80 me ekipin e parë të Vllaznisë u bashkua edhe një djalosh i ri dhe shumë i talentuar. Bëhej fjalë për Adrian Barbullushin. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai ka ditëlindjen, feston 54 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Adrian Barbullushi ka luajtur në Shkodër më 5 dhjetor 1968 dhe që në moshë të vogël zgjedh të merret me futboll dhe trajnerët e parë e vendosin në vijën e parë. Dhe kështu nisi karriera e sulmuesit që spikati me ekipin e të rinjve të Vllaznisë duke u shpallur dy herë kampion dhe ekipi atëherë drejtohej nga trajnerët Agim Medja e Fatmir Paçrami.

Luan dhe ekipin kombëtar të të rinjve dhe si i tillë u afrua edhe tek ekipi i parë në sezonin 1986-87. Kuptohet që ishte shumë e vështirë të gjeje vend në atë ekip yjesh por gradualisht “bjondi” fillon t’i bëjë vend vetes me paraqitjet e mira.

Ai ka luajtur ndeshjen e parë me Vllazninë vetëm 17 vjeç e 57 ditë, sepse trajneri Ramazan Rragami i beson një vend në ndeshjen e kupës ndaj Besëlidhjes.

Një sezon më vonë debuton me fanellën kuqeblu dhe luan 16 ndeshje, duke shënuar edhe 1 gol, pikërisht ndaj Flamurtarit në Shkodër në atë barazim 1-1 më 4 maj të vitit 1988. Edhe në sezonin 1988-89 luan në 14 ndeshje dhe shënon 1 gol ndaj Partizanit në Shkodër.

Ndërkohë si pasojë e këtyre paraqitjeve të mira me Vllaznisë, grumbullohet me luan si titullar me kombëtaren Shpresa. Në sezonin 1989-90 është titullar i padiskutueshëm edhe me ekipin shkodran duke qenë në fushë në 23 ndeshje dhe duke shënuar 5 gola.

E njëjta gjë edhe në sezonin 1990-91 kur luan në 37 ndeshje dhe shënon 7 gola. Ky do të ishte sezoni i fundit me Vllazninë sepse më pas në verën e vitit 1991 do të largohej drejt Greqisë, vend ku vazhdon të jetë ende edhe sot. Në këtë vend atë vit zhvilloheshin Lojërat Mesdhetare në Selanik dhe Shqipëria nën drejtimin e Neptun Bajkos bëri dy ndeshje.

Në atë ndaj Algjerisë, Barbullushi shënoi dy gola, ndërsa tjetrën e luajtën ndaj Greqisë. Duke parë formën e mirë që sulmuesi shkodran tregoi, shumë skuadra i bënë ofertë dhe ai firmos për “Egalio”. Më pas kalon tek “Ionikos” me të cilën luan për katër vite me rradhë në kategorinë e parë, përkrah Agustin Kolës në të njëjtin ekip.

Gjatë kësaj periudhe ka luajtur disa ndeshje disa ndeshje me ekipin tonë kombëtar duke formuar dyshen e sulmit me Sokol Kushtën. Pas lësnies së karrierës si futbollist, ka nisur atë si trajner të cilën e ushtron prej vitesh duke punuar me ekipet zinxhir.

Ky është profili i Adrian Barbullushit, ish- sulmuesit të Vllaznisë që prej shumë vitesh jeton në Greqi, aty ku është duke ushtruar detyrën e trajnerit duke patur jo pak suksese me ekipe të kategorive të ulëta që ai ka drejtuar.
Gjergj KOLA