Saturday, April 25, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot dita për të kujtuar legjendën e futbollit shkodran dhe shqiptar,...

ALMANAK/ Sot dita për të kujtuar legjendën e futbollit shkodran dhe shqiptar, Loro Boriçi

Shkruar nga Gjergj KOLA

Dita e sotme shënon 42-vjetorin e ndarjes nga jeta të njërit prej personaliteteve më të mëdha të futbollit shqiptar, Loro Boriçit. Ai u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare, pikërisht më 25 prill 1984 në Tiranë, shumë herët, sigurisht, kur kishte ende për t’i dhënë futbollit tonë.

Loro Boriçi është një nga futbollistët më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Ai u lind në Shkodër më 4 gusht 1922. Është një prej figurave më të shquara të këtij sporti, ish-futbollist sulmues dhe më pas trajner.

Ka qenë një lojtar i shpejtë dhe i zhdërvjelltë, me rol lideri, një futbollist me peshë në lojën e grupit dhe njëherësh triumfator. Karrierën e nisi te Vllaznia në vitin 1937, ndërsa në periudhën e Luftës do të kalonte në Itali, ku në sezonin 1941–1942 luajti me Lazion dhe në sezonin 1942–1943 me Romën.

Pas luftës rikthehet në Shqipëri dhe i bashkohet sërish Vllaznisë, me të cilën u shpall kampion në vitet 1945 dhe 1946. Më vonë kalon te Partizani, ku do të vijonte serinë e sukseseve.

Ai dha një kontribut shumë të madh për kombëtaren kuqezi, duke ndihmuar Shqipërinë të fitonte titullin “Kampion Ballkani” në vitin 1946, trofeu i parë i madh për përfaqësuesen dhe deri më sot i vetmi i këtij niveli.

Me kurorën e dafinave në kokë dhe trofeun e Kupës Ballkanike në duar, fotografia e Loro Boriçit si triumfator mbetet pjesë e panteonit të futbollit kombëtar.

Më vonë, Loro Boriçi pati ndikim të madh edhe si trajner i kombëtares shqiptare për vite me radhë, si dhe si kuadër sporti. Futbolli në Shqipëri, para Loro Boriçit, ekzistonte më tepër si term dhe ishte i papërfillshëm në fushë; pas tij, ai u bë më tërheqës dhe mori baza më të forta. Respekt për këtë ikonë të futbollit shqiptar!

Sot, stadiumi i qytetit të tij të lindjes, Shkodrës, mban emrin e tij dhe ky është minimumi i nderimit që mund t’i bëhet një personaliteti të tillë.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments